LUGINASIT TË DISKRIMINUAR NGA KOSOVA PËR SHKAK TË PASAPORTAVE SERBE

Banorët e luginës së Preshevës, pavarësisht se kanë aplikuar shumë herë me radhë për lejeqëndrim në Kosovë, të njëjtit ende nuk posedojnë dokumente të tilla, e lëre më nënshtetësi të vendit tonë.


Ata po ndjehen të diskriminuar edhe në forma të tjera. Së fundmi, policia kufitare nuk po lejon qarkullimin me pasaportë serbe, derisa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se kjo bazohet në pikat e arritura të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011.

Marrëveshjet e arritura për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk janë zbatuar deri në këtë kohë.

Një gjë të tillë thotë A.H, e cila në kushte anonimiteti, për KosovaPress ka treguar se tash e 22 vjet, prej kur jeton në Zvicër, gjithmonë ka udhëtuar me këto dokumente.

E njëjta para dy muajve ka rezervuar biletën e fluturimit për të ardhur në Kosovë, për çka persona të afërm i kanë sugjeruar që të mos niset për shkak se nuk do i lejohet hyrja në Kosovë.

“Ka që dy vjet që nuk kam ardhur në Kosovë për shkak të disa problemeve shëndetësore. Para dy muajve e kom rezervu biletën që të vi. Disa nga familjarët e mijë, por edhe shoqni kosovare këtu, kanë pasur problem, edhe jam njoftu. Pastaj jam detyru me anulu biletën, nuk kom guxu me rreziku me u nis”, thotë ajo.

Ajo mes tjerash tregon se si banore e Luginës së Preshevës, ka problem që të posedojë dokumente kosovare, ani pse ka aplikuar shumë herë.

“Jam njoftu që nuk lejohet të hy në Kosovë me pasaportë serbe, ka që 22 vjet që udhëtoj me këtë dokumente. Kosova tash po pranon vetëm letërnjoftimin serb, por këto ditë m’ka skaduar afati i letërnjoftimit. Askush nuk na ka njoftuar që nuk mund të udhëtojmë më me pasaportë serbe… Ne kemi problem edhe për nxjerrjen e dokumenteve kosovare, janë procedura të gjata dhe të komplikume. Nuk kam mundësi të rri kohë të gjatë jashtë Zvicrës për t’i rregulluar këto dokumente për shkak të problemeve shëndetësore që kam”, thotë A.H.

Artan Murati po ashtu qytetar nga lugina, thotë se nëse Kosova dëshiron të vendosë reciprocitet të plotë për çështjen e pasaportave, atëherë duhet të sigurohet që të pajisen me dokumente të Kosovës, të gjithë shqiptarët e Luginës.

“Republika e Kosovës duhet të ketë parasysh çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe nuk duhet të ndërmarrë hapa që do ta dëmtonin edhe më tepër këtë grup të njerëzve, edhe ashtu të shtypur e të diskriminuar. Nëse Republika e Kosovës dëshiron të vendosë reciprocitet të plotë për çështjen e pasaportave, atëherë duhet të sigurohet që të pajisen me dokumente të Kosovës të gjithë shqiptarët e Luginës”, thotë Murati.

Murati konsideron se ka ende shumë kosovarë të cilët jetojnë në Kosovë dhe nuk janë të pajisur me dokumente të këtij vendi.

“Kosova nuk guxon t’ua ndalojë lirinë e lëvizjes këtyre shqiptarëve, sepse kjo do t’i izolonte dhe do t’ua vështirësonte jetën edhe më tej. Është fatkeqësi që ende ka raste ku shumë shqiptar nga Lugina edhepse jetojnë me vite të tëra në Kosovë, ende nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk guxon të diskriminoj shqiptarët e Luginës me veprime të pamenduara”, shton ai.

Në lidhje me këtë, në një përgjigje për KosovaPress, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë detaje, por sipas tyre kjo është e bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit 2011.

“Qytetarët (me vendbanim të përhershëm) të të dyjave palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës. Secila palë do të zbatojë, sa më shpejt që është e zbatueshme në aspekt operativ, një sistem të kalimit të kufirit të qytetarëve të palës tjetër me letërnjoftime. Secila palë mund të zbatojë një sistem ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me shkrim “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër të cilët dëshirojnë të kalojnë transit në një shtet të tretë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Edhe sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, kalimi i kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë është e rregulluar me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011.

Për këtë ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke thënë se ndalesa e hyrjes me pasaporta serbe, është treguesi më i mirë se në këtë “kuazi-shtet” nuk dihet “kush pi e kush paguan”.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS