Alternativa për Ndryshim ka nominuar Levent Qazimin si bartës të listës dhe kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), ka njoftuar kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.
Përmes një postimi publik, Pajaziti ka vlerësuar përvojën politike dhe institucionale të Qazimit, duke e cilësuar atë si një figurë me kontribut të dëshmuar dhe përkushtim në përgjegjësitë që ka ushtruar.
Sipas Pajazitit, kandidatura e Qazimit përfaqëson një mundësi për të rikthyer besimin dhe për të korrigjuar, siç është shprehur ai, padrejtësinë e bërë gjatë zgjedhjeve të kaluara për KKSH-në.
Kryetari i Bujanocit ka bërë thirrje për mobilizim dhe mbështetje të kësaj kandidature në zgjedhjet e 8 nëntorit, duke vënë theksin te rëndësia e përfaqësimit të shqiptarëve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.
Ai ka theksuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, ndërsa ka vlerësuar se përvoja institucionale e Qazimit mund të shërbejë në realizimin e objektivave për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Me këtë nominim, Alternativa për Ndryshim ka bërë të ditur kandidaturën e saj për udhëheqjen e institucionit që përfaqëson interesat e shqiptarëve në fushat që lidhen me arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar janë caktuar të mbahen më 8 nëntor.
