Kuvendi i Kosovës dështon të konstituohet për herë të 52-të, seanca e radhës nesër në orën 14:00

Në prezencë të korit diplomatik, ka dështuar edhe përpjekja e 52’të për konstituim. VV ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.


Deputetët e Kosovës as sot nuk kanë arritur pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit. Edhe në përpjekjen e 52-të është parë skenar i njëjtë.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vazhduar me refuzimin e edhe të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Ai edhe sot ua ka ndërprerë fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët dilnin në foltoren e Kuvendit.

Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 54 vota.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka deklaruar se nëse do te thërras serish seance në ora 14:00.

Kryesuesi Dehari tha se meqenëse nesër është dita e fundit kur mund të bëhet edhe një përpjekje për konstituim të Kuvendit brenda afatit kushtetues, seanca e radhës do të mbahet nesër nga ora 14:00.

“Dje jemi njoftuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme. Pra, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik në kohëzgjatje deri më 8 gusht. Duke pasë parasysh që kjo masë hyn në fuqi ditën e diel dhe po ashtu afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese përfundon nesër, atëherë si kryesues i seancës konstituive dhe si përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër. Për sot ndërpritet seanca, nesër takohemi në orën 14:00”, tha Dehari.

Me gjasë kjo do të jetë përpjeka e fundit, meqenëse dje Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, sipas detyrës zyrtare, që seancat e Kuvendit të ndërpriten nga data 27 korrik deri më 8 gusht.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur ex officio masë të përkohshme në rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga: Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është të përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25”, është thënë në njoftimin e gjykatës, duke dhënë detaje tjera.

“Gjykata, më 24 korrik 2025, ka vendosur njëzëri: TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025 në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025; T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve; TË PUBLIKOJ këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025. Për të lexuar Vendimin për ex officio masën e përkohshme klikoni”, është thënë në njoftim.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Pezullohet përkohësisht hyrja e automjeteve në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

12 Qershori 1999 – Dita e Çlirimit de facto të Kosovës

Lirigzona Nuredini

Shqipëria nis hapin e parë për regjistrimin e flisë si trashëgimi kulinare

Lirigzona Nuredini