Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi sot morën pjesë në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikë në Kosovë për të diskutuar menaxhimin e COVID-19 nga ana e institucioneve qeverisëse, me theks të veçantë shëndetin e ekonomisë në kohë pandemie.
Në fjalën e tij, Kurti tregoi analogjinë në mes krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike. Duke pas për qëllim që të ruhet shëndeti publik, ai theksoi se vendet në mbarë botën kanë ulur aktivitetin ekonomik, dhe se Kosova në këtë situatë nuk përbën përjashtim.
“Ashtu si në tërë botën, futja e ekonomisë në komë ka nënkuptuar kufizimin e veprimtarive ekonomike. Por, sot si asnjëherë më parë, kemi pothuajse pajtueshmëri unanime mes ekonomistëve më të mirë në botë. Mesazhi i tyre: dëgjoni mjekët, rrini në shtëpi, sepse kështu do ta shkurtojmë kohën që do nevojitet për rimëkëmbje ekonomike”, tha kryeministri në detyrë.
Megjithatë, Qeveria e udhëhequr nga ai, u shpreh Kurti, nëpërmjet vendimeve të kujdesshme dhe të përllogaritura ka “maksimizuar aktivitetin ekonomik duke minimizuar dëmin shëndetësor”.
“Përkundër veprimeve me kohë dhe optimizmit për të ardhmen, ne jemi të vetëdijshëm se sërish do të këtë humbje” tha Kurti.
“Me qëllim që ta minimizojmë humbjen dhe në mënyrë që të mos përkeqësohet gjendja e ekonomisë, Qeveria tashmë ka marrë hapin e parë duke aprovuar Pakon Emergjente Fiskale. Kurse hapi i dytë, do të përbëjë atë të këndelljes së ekonomisë nëpërmjet dizajnimit të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, për të cilën do të kemi diskutim të gjerë e gjithpërfshirës, dhe politika të menduara mirë dhe të bazuara në vlerësime shkencore”, tha ai.