Kryetari i KKSH-së: Në fillore bllokohen fondet, në të mesme nuk aprovohen tekstet

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), ka reaguar lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, duke denoncuar bllokimin e fondeve të ndara nga Republika e Kosovës për sigurimin e librave falas për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.


Sipas tij, 3.686 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e nisin vitin shkollor 2026/2027 pa librat falas, pasi fondet e siguruara nga Kosova përmes KKSH-së vazhdojnë të jenë të bllokuara nga institucionet e Serbisë.

“Librat janë të aprovuar. Mjetet janë siguruar. Fëmijët janë në banka shkollore. Por Serbia po e ndalon fondin që do t’ua siguronte librat falas”, ka deklaruar ai.

Ai ka rikujtuar se gjatë vitit të kaluar për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në të trija komunat janë siguruar 35.448 libra shkollorë në gjuhën shqipe, të shpërndarë në rreth 15 shkolla fillore.

Kryetari i KKSH-së thekson se edhe këtë vit Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për sigurimin e librave, ndërsa librat tashmë janë të aprovuar nga Ministria e Arsimit e Serbisë.

Megjithatë, sipas tij, transferimi i mjeteve te KKSH-ja nuk po lejohet nga institucionet serbe.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe, duke theksuar se në këtë nivel arsimor nuk është aprovuar asnjë tekst shkollor sipas planprogrameve bashkëkohore.

“Në fillore bllokohen fondet për librat e aprovuar. Në të mesme nuk aprovohen as librat”, ka shkruar ai, duke e cilësuar situatën si të padrejtë ndaj nxënësve shqiptarë.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Këshilli Komunal i Preshevës zhvillon mbledhjen e XI-të, në fokus bashkësitë lokale dhe buxheti

PreshevaPRESS

Shukri Ymeri emërohet drejtor i shkollës fillore në Raincë

PreshevaPRESS

Diskutim publik në Preshevë për migrimin: Sfidat dhe mundësitë për komunitetin lokal

PreshevaPRESS