Koalicioni shqiptar mbetet me dy mandate në Kuvendin e Serbisë, sipas vlerësimeve preliminare

Lista e Studentëve kryeson me mbi 52 për qind të votave, ndërsa lista e mbledhur rreth Partisë Progresive Serbe (SNS) renditet e dyta me 39,29 për qind, sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK). Koalicioni shqiptar pritet të sigurojë dy mandate në Kuvendin e Serbisë, sipas vlerësimeve të CeSID-it.


Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) ka publikuar të dhënat preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, sipas të cilave Lista e Studentëve ka fituar 52,54 për qind të votave, bazuar në përpunimin e 8.077 nga gjithsej 8.392 vendvotime.

Në vendin e dytë renditet lista “Srbia e Bashkuar”, e mbledhur rreth Partisë Progresive Serbe (SNS), me 39,29 për qind të votave.

Sipas të dhënave të RIK-ut, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) ka marrë 2,18 për qind të votave, lista “E Djathta Autentike” 0,82 për qind, ndërsa lista “Serbia Evropiane” 0,28 për qind.

Pjesëmarrja në zgjedhje 68,78 për qind

Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e së dielës kanë votuar 4.211.957 qytetarë me të drejtë vote, që përbën 68,78 për qind të elektoratit.

Fletëvotimet e pavlefshme përbëjnë 1,29 për qind të votave të hedhura.

CeSID: Lista e Studentëve pritet të ketë 140 deputetë

Sipas vlerësimeve të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), bazuar në 96 për qind të mostrës së përpunuar, Lista e Studentëve pritet të sigurojë 140 ulëse në Kuvendin e Serbisë, ndërsa lista “Srbia e Bashkuar” 103 mandate.

Sipas të njëjtave vlerësime, Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë tri mandate, Koalicioni Shqiptar dy mandate, ndërsa lista e Rasim Ljajiqit dhe SDA e Sanxhakut nga një mandat secila.

Në vlerësimin e CeSID-it, Lista e Studentëve ka marrë 52,9 për qind të votave, ndërsa lista “Srbia e Bashkuar” 38,8 për qind. SPS ka fituar 2,2 për qind, “E Djathta Autentike” 0,9 për qind dhe “Serbia Evropiane” 0,3 për qind.

Rezultatet e paraqitura janë preliminare dhe bazohen në përpunimin e pjesshëm të vendvotimeve ose të mostrës zgjedhore. Përbërja përfundimtare e Kuvendit do të përcaktohet pas përfundimit të procedurave zyrtare dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare nga institucionet kompetente.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Salihu: KKSH-ja nuk e shfrytëzoi potencialin e saj, premton më shumë angazhim, përgjegjësi dhe transparencë

PreshevaPRESS

PVD dhe Aleanca për Luginën nënshkruajnë marrëveshje për të garuar me listë të përbashkët në zgjedhjet e KKSH-së

PreshevaPRESS

Vëzhguesit e OSBE-së: Pjesëmarrja e lartë është një shenjë e mirë por jo të gjitha rekomandimet e ODIHR-it u ndoqën

PreshevaPRESS