Kryetari KF Tërnoci, Jusuf Hasani, në një pronocim për KlanKosova tha se është për keqardhje ajo që ndodhi sot, transmeton PreshevaPRESS.
“Siç i patë ato pamje, është për keqardhje edhe t’i paramendosh ato çfarë ka ndodh, e aq më keq si shkojnë rrjedhat në vitin që jemi. Ju e patët mundësinë ta shihni vetëm një pjesë që kemi mundur ta incizojmë. Është për keqardhje”, tha Hasani për “Sports Show” në Klan Kosova.
Ai tutje tha se nuk e kanë ditur se si ndokush ka mundur të ndihet i rrezikuar nga ta, pasi sipas tij, sjellja e tyre ka qenë korrekte.
“Është një amatorizëm nga ana e policisë fatkeqësisht zyrtarët e ashtuquajtur policor duhet ta dinë që në fushën e gjelbër nuk mund të paraqiten”, tha tutje Hasani.
“Ne kemi shkuar vetëm të bëjmë futboll, ta rrezikosh mysafirin, kjo është e paimagjinueshme”.
Mirëpo si mysafirë, Hasani thotë se skena të tilla ju ndodhin në vazhdimësi, por ishte hera e parë që policët i bastisin.
“Ata kërkonin sikur një lojtar i yni ka bërë shqiponjën, kjo nuk ka ndodhur. Thoshin se po kërkojnë edhe mjete te ftohta, por as kjo nuk qëndron”, u shpreh tutje kryetari i këtij ekipi.
Hasani po ashtu shtoi se Zeqirit nuk iu lejua që të dëshmonte në polici.