Këshilltari për çështje të pakicave kombëtare pranë Presidencës së Kosovës, Zijush Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj tri ngjarjeve të fundit të cilat ai i cilëson si “akte të planifikuara dhe thellësisht provokuese”, që kanë ndodhur brenda një kohe të shkurtër në Luginë të Preshevës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me incidentet që, sipas tij, synojnë të nxisin tensione ndëretnike dhe të cenojnë dinjitetin e shqiptarëve në këtë rajon.
Rasti i parë i përmendur është heqja e flamurit kombëtar shqiptar nga shtiza në Lapidarin e Martirëve në fshatin Gruhali, veprim që ai thotë se ka prekur ndjenjat kombëtare të banorëve shqiptarë. Ngjarja e dytë ka ndodhur në qytetin e Bujanocit, ku është vandalizuar një billboard me portretin e Komandant Lleshit, një figurë e njohur e rezistencës shqiptare në Luginë.
Rasti i tretë, dhe njëkohësisht më shqetësuesi sipas Ahmetit, ka ndodhur në fshatin Zhunicë, ku në mënyrë të paautorizuar dhe pa asnjë paralajmërim është vendosur një flamur serb në objektin e shkollës së fshatit – një institucion ku, sipas tij, nuk mëson asnjë nxënës nga komuniteti serb.
Ahmeti i ka cilësuar këto si veprime të qëllimshme dhe me prapavijë politike, që sipas tij mund të pasohet me akte të tjera provokuese në ditët në vijim.
Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që të mos bien pre e provokimeve dhe të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit të tyre kombëtar.
“Qetësia dhe bashkimi qytetar janë përgjigjja më e fortë ndaj këtyre veprimeve destabilizuese,” ka shkruar Ahmeti.