Sot në seancën e VI-të të Kuvendit Komunal të Preshevës ndër pikat kryesore të rendit të ditës po debatohet rebalanci i Buxhetit për vitin 2019 dhe gjithashtu propozim Buxheti për vitin 2020.
Pas situatës gjatë seancës së V-të të Kuvendit të Preshevës, seancë gjatë së cilës debati dhe akuzat mes pozitës dhe opozitës përfunduan me dhunë, gjë që çoi në ndërprerjen e seancës së V-të të Kuvendit, Partia Demokratike Shqiptare ka vendosur që të bojkotojë punimet e Kuvendit Komunal.
“Kryesia dhe Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare, në mbledhjen e mbajtur më 03.10.2019, pas diskutimeve të pjesëmarrësve dhe arsyetimeve të mëposhtme solli moratorium për mospjesëmarrjen në punën e seancave të Kuvendit komunal nga ana e Grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare, deri në momentin kur PDSH vlerëson se janë krijuar kushte për pjesëmarrje.” thuhet në njoftimin e PDSH-së të datës 03.10.2019 të publikuar në faqen e kësaj partie në facebook.
Mirë por, Partia për Veprim Demokratik deri sot asnjëherë nuk është deklaruar për bojkot të punimeve të Kuvendit Komunal të Preshevës. Madje Nënkryetarja e PVD-së për Preshevë, Ardita Sinani, përmes një letre publike dërguar Kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, kanë komunikuar për rrethanat e reja dhe pas problematikës së krijuar në seancën e V-të të Kuvendit Komunal.
“Qëndrimi i Partisë për Veprim Demokratik me këtë rast ishte shumë i qartë. Reagimi emocional i këshilltarit të Grupit të PVD erdhi si pasojë e fjalimit Tuaj nxitës dhe shpifës në foltoren e Kuvendit. Vokabulari Juaj, tashmë i njohur për opinionin tonë, me fyerjet dhe shpifjet jo veç ndaj këshilltarëve komunal, por edhe ndaj personave të cilët nuk janë prezent në seancë, dëshmojnë për qëllime përçarëse. Sjelljet Tuaja nxitëse e fyese ndaj figurave të PVD-së edhe nëpër seancat tjera po dëshmojnë se në këtë rrafsh jeni i papërmirësueshëm.” thuhet e në përgjigjen e letrës së Ardita Sinanit për Shqiprim Arifin.
PVD as në këtë letër nuk ka përmendur askund bojkotin e seancave të Kuvendit Komunal të Preshevës deri më sot. Sot përmes një njoftimi në faqen e Partisë për Veprim Demokratik, Grupi i Këshilltarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e PVD-së, seancën e Kuvendit Komunal ku po diskutohet për rebalancin e Buxhetit të 2019 dhe Propozim Buxhetin e vitit 2020, ka thënë se PVD nuk merr pjesë në debatin virtual për buxhetin.
“Grupi i këshilltarëve të PVD-së në Kuvendin Komunal në Preshevë, ka vendosur për ta bojkotuar seancën e sotme në të cilën si pika të veçanta janë të parapara Rebalanci i Buxhetit për vitin 2019 dhe propozim Buxheti për vitin 2020.” thuhet mes tjerash në njoftimin e PVD në facebook.
Në fund të këtij njoftimi, PVD njofton se vendimi mbi bojkotimin e punimeve të Kuvendit Komunal ka të bëjë vetëm me seancën e VI-të të Kuvendit Komunal.
Në vazhdim po ju sjellim postimin e plotë të PVD-së në facebook.