Kamberi i rikthehet fjalimeve në Kuvend, ngre shqetësimin për gjuhën e përdorur gjatë vizitës së Vuçiqit në Luginë

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë seancës së sotme parlamentare ka ngritur një varg çështjesh lidhur me deklaratat fyese dhe, siç i cilësoi ai, antishqiptare të dëgjuara gjatë vizitës së fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bujanoc dhe Preshevë.


Kamberi iu drejtua drejtpërdrejt Vuçiqit me pyetjen nëse fyerja dhe gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve po shndërrohen në një kriter për përfitimin e privilegjeve dhe vendeve të punës në institucionet shtetërore.

“A është fyerja, sharja dhe urrejtja ndaj shqiptarëve parakusht për punësim në institucione shtetërore, z. President!?”, pyeti Kamberi.

Ai iu referua tubimeve të mbajtura në Llopardincë dhe Strezoc, ku, sipas tij, në praninë e presidentit serb u dëgjuan deklarata fyese ndaj shqiptarëve. Në veçanti, Kamberi përmendi rastin kur një qytetar përdori termin fyes “Šiptar”, ndërsa Vuçiq, sipas deputetit, i premtoi punësim në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) brenda 48 orësh.

“A e konsideroni të pranueshme që një qytetar i cili publikisht shpreh urrejtje dhe përçmim ndaj shqiptarëve të shpërblehet me premtimin e Presidentit të Republikës për punësim në BIA, dhe atë jashtë konkursit dhe procedurave të rregullta ligjore?”, tha Kamberi.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit Kamberi ia kushtoi reagimit të presidentit serb ndaj deklaratave të tilla. Ai e pyeti Vuçiqin pse nuk kishte ndërhyrë dhe dënuar publikisht gjuhën fyese gjatë tubimeve.

Sipas Kamberit, heshtja ndaj këtyre deklaratave mund të krijojë përshtypjen se gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve tolerohet apo edhe shpërblehet.

“A është ky mesazhi se gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi shpërblehet me privilegje dhe punësim në institucionet e sigurisë?”, pyeti ai.

Kamberi tha gjithashtu se një prej çështjeve më shqetësuese është krijimi i një atmosfere politike që mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Luginën e Preshevës.

Ai përmendi edhe deklarata që, sipas tij, kanë nxitur thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve, duke theksuar se komunitetet në Preshevë duhet të vazhdojnë të jetojnë së bashku edhe pas përfundimit të vizitave dhe tubimeve politike.

Kritika edhe për investimet dhe shkollat

Në fjalimin e tij, Kamberi u ndal edhe te premtimet për fabrika dhe vende të reja pune në Luginën e Preshevës.

Ai kërkoi që investimet dhe punësimet të mos ndahen mbi baza etnike, duke theksuar se shqiptarët dhe serbët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Luginës së Preshevës nuk i nevojiten fabrika të destinuara vetëm për serbët, e as privilegje të bazuara në përkatësinë etnike. Nevojitet trajtim i barabartë, punësim në përputhje me ligjin dhe institucione që i respektojnë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët”, deklaroi ai.

Kamberi ngriti edhe çështjen e investimeve në arsimin shqip. Ai tha se kërkesat e Komunës së Preshevës për ndërtimin ose renovimin e dy shkollave në gjuhën shqipe po shpërfillen, ndërsa përmendi edhe shkollën në Lluçan të Bujanocit, renovimi i së cilës, sipas tij, i ishte premtuar më herët ambasadorit amerikan Chris Hill.

“Cili është qëllimi juaj?”

Në përfundim të fjalimit, Kamberi kërkoi nga Vuçiq një përgjigje të qartë nëse e dënon gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe pse nuk reagoi në momentin kur deklaratat u bënë publike.

Ai iu referua edhe dispozitave të Kushtetutës së Serbisë që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ndalimin e diskriminimit, pjesëmarrjen në çështjet publike dhe zhvillimin e frymës së tolerancës.

“Cili është qëllimi juaj? Të ndërtoni besim ndërmjet komuniteteve në Luginën e Preshevës apo të krijoni një atmosferë politike në të cilën fyerja dhe poshtërimi i shqiptarëve shpërblehet?”, pyeti Kamberi.

Ai e mbylli fjalimin me pyetjen që, sipas tij, kërkon përgjigje të drejtpërdrejtë nga presidenti serb:

“Pse shpërbleni me punësim në BIA ata që publikisht i fyejnë shqiptarët?”

ARTIKUJT E NGJASHËM

Këshilli Komunal i Preshevës zhvillon mbledhjen e XI-të, në fokus bashkësitë lokale dhe buxheti

PreshevaPRESS

Shukri Ymeri emërohet drejtor i shkollës fillore në Raincë

PreshevaPRESS

Diskutim publik në Preshevë për migrimin: Sfidat dhe mundësitë për komunitetin lokal

PreshevaPRESS