Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka thënë Bashkimi Evropian duhet të kërkoj nga Serbia zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës gjatë procesit të integrimit në BE.
Por ai thotë në këtë çështje më shumë janë të kyçur zyrtarë amerikanë se ata të BE-së.
“Në këtë fazë më tepër për çështjen e Luginës janë të involvuar zyrtarë të SHBA-së se Bashkimi Evropian që do duhet që në kuadër të kapitujve që Serbia duhet t’i kalojë për anëtarësim në BE të kërkoj zgjidhe për këtë çështje”, ka thënë Kamberi në emision “InfoNata” në Tëvë 1.
Ai vlerëson se Serbisë duhet bërë presion nga faktori ndërkombëtar, por që sipas tij fokusi është të arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje e Luginës është terciare.
I ftuar në emisionin “InfoNata”, Kamberi deklaroi se marrëveshja e Ohrit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq krijon një standard të ri të trajtimit të barabartë të komuniteteve në rajon.
“Ajo çka ndodhi në Ohër në shikim të parë nuk e ka të përfshirë Luginën e Preshevës, por në parimet bazë fillestare përmenden të drejtat e pakicave. Mendoj që marrëveshja pavarësisht, marrëveshja e dakorduar se akoma nuk e kemi të nënshkruar, pavarësisht që nuk e ka drejtpërdrejtë Luginën e Preshevës po krijon një standard të ri të trajtimit të barabartë të komuniteteve në këtë rajon. Ne jemi munduar që në kuadër të lobimit që e kemi pasur në Uashington të insistojmë edhe në institucionet më të larta të Shteteve të Bashkuara të politikbërjes në Kongres, Senat, në State Department të shtrojmë këtë temë dhe është tash inkurajuese ditëve të fundit ajo që ndodhi në Kongresin Amerikan ku ishte një dëgjim ku përmendet Lugina e Preshevës”, tha ai.
Teksa deputeti shqiptar theksoi se i është drejtuar edhe ndërmjetësuesve Borrell e Lajçak me një shkresë sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Luginë, por që sipas tij, nuk ka marrë nonjë përgjigje konkrete.
“Përveç në Senatin dhe Kongresin amerikan unë drejtpërdrejtë iu kam drejtuar me një shkresë edhe zotit Borrell dhe Lajçak i cili është ndërmjetës për dialogun Kosovë – Serbi por siç thotë emërtimi i tij edhe për çështje të tjera të Ballkanit Perendimor. E tash nuk ka ndonjë reagim konkret, ajo që thuhet në letrën kthyse të zotit Borrell dhe Lajçak që kam marrë unë se të drejtat e shqiptarëve janë një shqetësim edhe për Bashkimin Evropian por se duhet të trajtohen në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.