Ky donacion është ndarë për Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës nga këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke Sugihara, këshilltari i JICA-së, Makino Takahiko dhe ekspertë tjerë japonez.
Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Qeveria e Japonisë përmes JICA-së, është duke dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në fushën e mjedisit.
“Ky projekt, përveç studimit mbi burimet e ndotjes së ajrit dhe ngritjes së kapaciteteve humane, po kontribuon edhe me instrumente matëse për matje të emisioneve, me të gjitha pajisjet përcjellëse dhe shumë pajisje tjera të nevojshme, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, tha ministri Matoshi
Përveç fushës së ajrit, Qeveria japoneze ka mbështetur sektorin e menaxhimit të mbeturinave me pajisje për transportin e mbeturinave dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
“Qeveria japoneze po mbështet Kosovën edhe me një grant prej mbi 2 milionë euro me pajisje për transportin e mbeturinave që do të ndihmoje në krijimin e një sistemi të qëndrueshme për menaxhimin e integruar të mbeturinave”, tha ministri Matoshi.
Ndërsa këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke Sugihara ka treguar se qeveria e tij së shpejti do të hapë ambasadën e Japonisë në Kosovë, në 10-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike.
Pas konferencës së përbashkët për media, ministri Matoshi së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë Japoneze kanë vizituar Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës ku është bërë pranim-dorëzimi i 100 pajisjeve teknike për matjen e gazit të shkarkuar dhe matjen e cilësisë së ajrit.
Pajisjet e pranuara donacion nga Japonia janë analizuesi i gazrave si NOx, SO2, CO, CO2 dhe O2, pajisje për matjen e lagështisë në gazin shkarkues, pajisje për matjen e temperaturës për matjen e pluhurit, 6 pompa vakumi, gazmetër të lëngshëm, ene për mostrim për metodë referente, sonda të ndryshme për mostrim, enë laboratorike për mostrim dhe të gjitha kimikatet për mostrim dhe analizim të pluhurit dhe gazrave në laborator për përcaktimin e merkurit si dhe të anioneve, vegla pune për çështje teknike, pajisje për matjen e shtypjes statike dhe totale dhe shtypjes së ambientit.