Pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë territorin e Komunës së Preshevës, kryetarja Ardita Sinani ka njoftuar se sot janë inspektuar disa nga zonat më të ndjeshme ndaj përmbytjeve dhe dëmtimeve.
“Situata në shumicën e lagjeve dhe vendbanimeve është nën kontroll, por disa shtëpi në zonën e Stacionit Hekurudhor janë prekur nga vërshimet,” tha kryetarja Sinani, duke shtuar se ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve dhe NP “Moravica” po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin dhe sanimin e gjendjes.
Komuna e Preshevës thekson se mbetet në gatishmëri të plotë për çdo situatë që mund të paraqitet gjatë ditëve me reshje intensive.
Ky njoftimi i Komunës vjen pas reagimeve nga opozita lokale, e cila ka kritikuar udhëheqjen komunale për menaxhimin e situatës dhe ka theksuar shqetësimin për pasojat e reshjeve në komunitet.
