Holta, shqiptarja që lindi në Pekin dhe punon në Londër

Kjo është historia e bukur e një vajze të pazakontë, një shqiptareje bote, të shumë shkollave dhe qyteteve që e do Shqipërinë dhe nuk e harroi kurrë shqipen.


Quhet Holta Çelmeta, lindi në Pekin dhe aty u shkollua. Në CNN kinez mori mësimet e para për gazetarinë dhe leksionin se për t’u bërë gazetare e zonja do t’i duhej edhe një diplome tjetër, ndaj ajo u diplomua për Juridik në Britaninë e Madhe. Mësimet e gazetarisë së mirë i mori në Reuters, në Londër, ku u edukua se në media, është më mirë të jesh i ngadaltë, sesa i gabuar. Kur u largua nga Reuters e përcollën qindra kolegë që e deshën dhe i deshi.

Iku për të përqafuar një platforme të re mediatike, Dataminr, filialin në Londër të një medieje bashkëkohore që ka klientë të saj nga OKB, te CNN, “New York City Emergency Department” dhe shumë nga kompanitë më të mëdha financiare në botë. Media po përballet me një ndryshim të paimagjinueshëm 10 vjet më parë dhe nuk mbijetojnë më logot e mëdha, por ata që dinë të përshtaten në rrugët e reja të komunikimit. E njëjta gjë ndodh dhe me njerëzit, fitojnë ata që i hapin mendjen ndryshimit dhe koha të kërkon të jesh një qytetare bote.

Ndaj po sjellim në dritare.net eksperiencën e një shqiptareje që jeton në Londër me burrin e saj italian, i cili i ka dhënë fjalën babait të Holtës që do të mësojë shqip. Ju njohim me Holta Celmetën, një shqiptare e mrekullueshme!

 Intervistoi Rudina Xhunga, Dritare.net

Holta ju jeni gazetare në një lloj të re gazetarie, mund të ndajmë bashkë disa informacione për mënyrën e re të komunikimit, të cilës i jeni kushtuar?

Në Dataminr i japim mundësinë agjencive (newsroom) ndërkombëtare në botë të marrin sinjalin e parë në raste kur ndodhin ngjarje të cilat kanë potencialin për t’u bërë breaking news. Kjo e gjitha mundësohet nga një algoritëm duke u mbështetur në informacione në kohë reale të postuara nga përdoruesit e medieve sociale. Për shembull, nëse një person poston një foto të një zjarri apo që ka dëgjuar një shpërthim, Dataminr e kap automatikisht këtë postim dhe i dërgohet menjëherë klientëve tanë mediatikë.

Cili është roli juaj në këtë agjenci?

Unë jam specialiste e lajmeve nga Azia dhe Evropa Lindore dhe me pak fjalë trajnoj algoritmin e Dataminr për të kapur ngjarjet më të goditura që përbëjnë lajm dhe ku analizohen nëse burimet nga mediet sociale janë të sakta apo përbëjnë fake news.

Sa ndjekës ka ajo, si funksionon me abonime? Sa të abonuar ka?

Janë me qindra organizata/institucione dhe korporata mediatike nga gjithë bota që përdorin Dataminr, gjithashtu, përdorët shumë dhe nga korporatat financiare dhe bankat të cilave u nevojitët të marrin lajme dhe të informohen mbi ngjarje dhe informacione kritike që i ndihmon në vendimmarrjet e tyre dhe të përballen më të informuar me lëvizjet e tregjeve dhe rreziqet që sjellin këto ngjarje.

Si është të kalosh nga një medie tradicionale si Reuters, në një të ndryshme sa të ngjashme?

Aq sa ka afërsi nga mënyra e punës, aq është edhe ndryshe. Cilësitë e të reaguarit shpejt dhe përpunimi i informacioneve, të cilat janë gjithë kohën në ndryshim dhe në lëvizje, janë të ngjashme me Reuters, pra duhet të jesh gjithmonë në varësi të instinktit tënd si gazetar për të kuptuar se çfarë përbën lajm për klientët e tu. Nga ana tjetër është dhe ndryshe nga fakti se Dataminr është një firmë e re, shumë dinamike, tërë kohën në zhvillim dhe në zgjerim, ku secili nga ne është detyruar që të jetë inovator dhe të zhvillojë produkte të reja bazuar në ekspertizat tona personale.

Si ishte koha që ndatë me Reuters? Cili qe mësimi më i mirë që keni marrë?

Duke qenë se zyra qendrore e Reuters është në Londër, kam patur fatin e të qenit në qendër të të gjitha lajmeve botërore, domethënë çdo material i Reuters kalonte te ne në fillim, para se bëhej shpërndarja. Kështu që më është dhënë rasti të jem përballur me të gjitha ngjarjet më të rëndësishme dhe që kanë bërë bujë në vitet e fundit, duke filluar me sulmet terroriste në Paris në 2015-ën, referendumi Brexit, rënia e Mugabes në Zimbabwe, si dhe kam koordinuar vetë transmetimin live të takimit të fundit historik midis Donald Trump dhe Kim Jong Un në Vietnam. Natyrisht, puna në Reuters më ka dhënë dhe aftësi të ndryshme teknike mbi xhirimet, montazhet, video digjitale, media sociale, si dhe si bëhen intervistat në tapetin e kuq me artistë. Por mësimi më i mirë që kam marrë është që duhet gjithmonë të jem e adaptueshme dhe të përballoj çfarëdo që puna dhe bota të hedhë përpara!

Çfarë po ndodh me medien sot? Si po kalon ajo në një nivel të ri?

Media ka ndryshuar jashtë mase në 10 vjetët e fundit saqë dhe mediet tradicionale po ndikohen dhe po përballën me sfida të mëdha. Por rëndësi ka siç thamë më parë, që të jemi sa më të adaptueshëm, sepse këtu bëhen ndryshimet midis institucioneve mediatike, disa e presin me mendje të hapur dhe të gatshëm ndryshimin, kurse të tjera ngurojnë dhe nuk adaptohen kollaj ose me shpejtësinë e duhur me kërkesat e tregut. Janë këto të fundit të cilat nuk mbijetojnë dot. Kur ka pastaj dhe shembuj të tjerë institucionesh mediatike tradicionale me emër dhe reputacion të madh që i kanë pritur më krah hapur këto ndryshime dhe e kanë përdorur eksperiencën dhe emrin për t’iu rilançuar tregut si një organizatë e kohës dhe moderne.

Çfarë është e rëndësishme në këtë botë ndryshe mediatike, ku platformat e reja kanë zëvendësuar çdo gjë të vjetër, cilat janë armët e forta që i duhen një gazetari të ri, i cili do të hyjë në një botë të panjohur?

Mediet sociale janë të domosdoshme dhe e theksoj jashtë mase këtë gjë. Një gazetar, sidomos ata në terren, duhet të jenë gjithmonë të angazhuar në mediet sociale, por sidomos Twitter, që fatkeqësisht nuk përdorët aq sa duhet në Shqipëri. Këto platforma jo vetëm përdorën për të lajmëruar publikun në kohë reale, por edhe për të marrë informacione urgjente për diçka që sa mund të ketë ndodhur, për të verifikuar a është e vërtetë në një kohë që jemi të bombarduar nga fake news, por si dhe për të gjetur dhe intervistuar njerëz të cilët mund të jenë ndikuar nga ngjarjet ose dhe që kanë qenë dëshmitarë okularë.

Ky është një nga fenomenet më problematike sot sidomos kur kushdo mund të japë “lajm”, rëndësi ka vetëm të ketë kompjuter ose telefon dhe internet. Për gazetarët, vërtetimi i lajmit është aspekti më bazik dhe në fund të fundit, një nga arsyet e ekzistencës sonë! Është e vërtetë që të gjithë duam të jemi të parët në dhënien e lajmit, por një mësim të mirë kam marrë në Reuters: është më mirë të jesh i ngadaltë, sesa të jesh i gabuar. Vigjilenca është mëse e rëndësishme dhe megjithëse kërkon pak kohë, mundim dhe përkushtim, nuk është dhe aq e vështirë. Janë disa hapa që mund të merren. E para, kush e ka thënë? A mund ta vërtetoj duke e marrë nga vetë burimi? Nëse nuk është nga burim zyrtar, dhe një njeri për shembull thotë që sa dëgjoi krisma, a e ka thënë tjetër njeri një gjë të ngjashme? Nëse bëhet fjalë për fotografi ose video, teknologjia na ka dhënë mundësi për t’i vërtetuar. Mjafton vetëm një “Google image search” për të  kontrolluar nëse është fotografi e re apo është shpërndarë më përpara. Mënyra të ngjashme ekzistojnë edhe me videot. Këto janë vetëm disa hapa të vogla të cilat janë minimumi për të bërë verifikimet e para. Ne as nuk duhet kurrë të shpërndajmë lajmet për publikun nëse nuk jemi 100% të sigurt për ato që publikojmë duke marrë parasysh përgjegjësinë e madhe që kemi. Ndërsa për lexuesit, mundësisht të informohen nga media dhe gazetarë me reputacion. Gjithashtu, të vihet instinkti në lëvizje dhe nëse diçka duket e pabesueshme, ka shumë mundësi që nuk është e vërtetë!

Tregojmë pak për arsimimin tuaj, sepse ju keni një arsimin shumë të veçantë?

Unë kam lindur dhe jam rritur në Pekin dhe deri në klasë të tetë të gjithë shkollën e kam bërë në kinezisht, kurse shkollën e mesme e kam kryer pranë Liceut Francez po në Pekin. Më vonë shkova në Londër për vitin e maturës ku mbarova A-Levels. Kam mbaruar studimet bachelor për juridik në Queen Mary University of London dhe për master vendosa t’i futesha pasionit tim që kam patur që kur kam bërë intershipin tim të parë në moshën 16-vjeçare në CNN në Pekin, pra vendosa të studioja për gazetari televizive në City University London.

Klasa e parë? Si ishte të nisje abetaren në Kinë?

Ka qenë fat i madh për mua që e mësova kinezishten në moshë aq të vogël, gjë që e bëri një gjuhë me shkrim aq të vështirë si kinezishtja pak më të përtypshme!

Kolegji juaj në Londër? Si erdhi ky moment?

Zgjodha të studioja juridik sepse është një degë që mund të përdoret në shumë fusha dhe është e përshtatshme dhe të pajis me aftësi të transferueshme në profesion dhe pozicione të ndryshme.

Ju keni studime krejt të ndryshme nga punësimi? Ca ndodhi?

Drejtori i zyrës së CNN-it në Kinë më dha një këshillë shumë të rëndësishme në një kohë që nuk kisha vendosur se çfarë dege do të zgjidhja, më tha që gazetari më i kompletuar bëhesh kur e ke një specializim më vete, mund të jetë në politikë, ekonomi, juridik apo dhe teknologji. Gazetaria kap çdo fushë të jetës prandaj është e vlefshme të kesh një ekspertizë specifike të cilën e forcon duke bërë një specializim në gazetari, ku mësohen dhe aftësitë teknike të gazetarisë.

Holta po me shqipen si ia bëtë?

Kjo ka qenë tërësisht mërita e prindërve! Në shtëpi jo vetëm që flitej vetëm shqip, por dhe më bënin gjuhë shqipe me libër që nga klasë të parë si dhe më detyronin të ndiqja filma shqip që të isha sa më e afruar me Shqipërinë duke qenë që ishim aq larg. Atëherë dhe mërzitesha ndonjëherë, por më vonë e vlerësova sesa e rëndësishme është të jesh e lidhur me vendin tënd.

Si është të jesh qytetare bote?

Kjo është një nga pyetjet që e mendoj shumë sepse kur je rritur në një vend të largët dhe pastaj vendos të ndërtosh jetën në një vend prapë tjetër, ndonjëherë çorientohesh dhe nuk di kë të thërrasësh “shtëpi”. Në çdo vend ku kam jetuar ose kam qenë e huaj (Kinë, Angli) ose jam ndjerë e huaj (Shqipëri) – gjë që nuk është shumë pozitive kur nuk e ndjen që ke një vend në botë që e konsideron me kuptimin e plotë “shtëpi”. Gjithsesi, nuk do të doja kurrë t’i ndërroja këto eksperienca që më kanë dhënë mundësinë të jem e veçantë, por të kem aftësi të përshtatëm kudo dhe të përballëm më së miri me të gjitha kulturat dhe ambiente aq të ndryshme nga njëra-tjetra.

Çfarë është Shqipëria për ju? Kur ndaloni në lajme për Shqipërinë, provoni emocion apo tani dhe Shqipëria është punë?

Megjithëse nuk kam jetuar asnjëherë në Shqipëri, ky do të jetë gjithmonë vendi im dhe vendi që mbroj më shumë në biseda dhe qëndrime duke patur parasysh këtu gjithë të mirat dhe të këqijat që ajo ka. Jam munduar gjithmonë që të kontribuoj dhe të jap lajme dhe informacione të sakta dhe të paanshme në lidhje me Shqipërinë, kur e dimë që ka shumë paragjykime ose keqkuptime të ngjarjeve që ndodhin në Shqipëri të ndikuar nga grupe ose lobime të ndryshme. Dhe këtë jam duke e bërë më mirë tani që kam dhe mundësinë dhe platformën e të qenit pranë mediesh ndërkombëtare që të ndryshojmë sado pak imazhin dhe perceptimin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ka lajme nga Shqipëria apo tregu shqipfolës në medien tuaj?

Sigurisht, dhe në fakt mediet perëndimore kanë shumë interes për rajonin e Ballkanit, por sidomos shtetet shqipfolëse duke qenë se jemi në një pikë kyçe në zhvillim të ngjarjeve në rajon. Megjithëse shpesh duket sikur lajmet nga Shqipëria nuk kanë shpërndarje të gjerë, sytë dhe veshët prapë i mbajnë hapur nga ne.

Holta, një fëmijë që nis sivjet klasën e parë ka një botë për të zbuluar. Ka emocione dhe frikë. Ka dëshirë dhe ankth. Ju si do t’i drejtoheshit një fëmijë të klasës së parë, duke e uruar dhe treguar për Holtën e shumë shkollave dhe qyteteve?

Fëmijët sot kanë shumë mundësi për t’i arritur ëndrrat e tyre, por në të njëjtën kohë u duhet që të pajisën dhe me aftësi të cilat kanë qenë të panjohura për kohën kur kemi qenë të vegjël. Fëmijët sot duhet të edukohen me të qenit pjesë jo vetëm e vendit të tyre të cilin duhet ta njohin mirë, por gjithashtu të jenë të hapur dhe të interesuar për botën që na rrethon. Në këtë mal me informacione që i rrethon fëmijët sot, ata duhet të mësojnë të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë për t’i zbuluar ato. Kjo është një nga aftësitë që do t’i pajisë fëmijët më së miri për t’u përballur me botën e së ardhmes në çfarëdo profesioni që ata do të zgjedhin./ dritare.net

ARTIKUJT E NGJASHËM

Oxford shpallet sërish universiteti më i mirë, institucionet evropiane në rënie

PreshevaPRESS

E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

PreshevaPRESS

Këta janë fituesit e çmimit Nobel në Mjekësi

PreshevaPRESS