Gjithëka që ndikoi në dështimin e seancës së parë , nesër përsëri tentohet mbajtja e saj

PreshevaPRESS gjatë javës së kaluar ka raportuar rregullisht për turbulencat e krijuara mes grupit të përfaqësuesve të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës në Kuvendin e Preshevës, Alternativa për Ndryshim, turbulenca që çuan në shtyrjen e seancës dy herë radhazi. 


Seanca e parë e Kuvendit Komunal në Preshevë, e cila për rend dite ka 29 pika për të diskutuar, fillimisht është thirrur për datën 2 mars, por për shkak të përçarjeve dhe mospajtimeve brenda këshilltarëve të APN-së në Kuvendin Komunal, kryetari i Kuvendit të Preshevës ka vendosur që përmes një mesazhi ta shtyj atë.

PreshevaPRESS ka raportuar e para për mundësinë e shtyrjes së seancës, gjë që më vonë u konfirmua nga vetë këshilltarët, të cilin ishin informuar nga shefat e grupeve të këshilltarëve, për mesazhin e pranuar nga Kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu.

“Për shkak të një udhëtimi të paparashikuar jashtë vendit, seanca e planifikuar për datë 2 mars, nuk do të mbahet. Seanca e planifikuar, me shumë gjasa, do të mbahet me datë 9 mars.” thuhej në mesazhin që i kishte dërguar Sami Salihu shefave të grupeve të këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Preshevës.

Pas kësaj shtyrje të seancës së parë të Kuvendit Komunal të Preshevës, siç ka shkruar Salihu në mesazh, me gjasë për 9 mars, PreshevaPRESS ka tentuar që nga të gjitha partitë e përfaqësuara në kuvend të marrë qëndrimin rreth situatës së krijuar në Preshevë dhe mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit në rast të dështimit të mbajtjes së seancës deri më 12 mars, datë kjo kur edhe skadon afati tremujor mes dy seancave sipas ligjit në fuqi.

Pa marrë parasysh interesimin publik për  të qenë të informuar qytetarët e Preshevës, Partia Demokratike Shqiptare dhe Alternativa për Ndryshim nuk kanë dashur të komentojnë për PreshevaPRESS situatën e krijuar në vend, derisa Partia për Veprim Demokratik dhe Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare përmes udhëheqësve të tyre janë shprehur të gatshëm ta ruajnë strukturën e Kuvendit Komunal të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të vitit 2017 në Preshevë.

“Përderisa dështoi mbajtja me 2 mars e seancës së thirrur nga kryetari i Kuvendit, atëherë ne jemi në pritje të seancës së radhës me 9 mars. Njoftimin zyrtar e kemi marrur nga kryetari i Kuvendit për këtë shtyrje. Pra, nuk kemi asnjë njoftim që po planifikohet ndonjë gjë tjetër, e as shpërndarja e Kuvendit.” ka thënë kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani për PreshevaPRESS. “Në rast se kemi vonesa në mbajtjen e seancës atëherë më 12 mars vije deri te shpërbërja e Kuvendit, ku dhe caktohet organi i përkohshëm. Presheva është duke u ballafaquar me një qeverisje në mjegull. Keqmenaxhimi dhe korrupsioni janë faktorët kryesor të mosfunksionimit të kësaj qeverisje. Ne si PVD jemi të gatshëm të përballemi me çdo sfidë që është në të mirë të vendit dhe qytetarëve.” shtoi ajo.

Mirë por, pesë ditë pas kësaj deklarate e një ditë para planit për mbajtjen e seancës, më 8 mars, një burim nga kryesia e degës së PVD-së në Preshevë tha për PreshevaPRESS se PVD kishte vendosur që përfaqësuesit e saj në Kuvend mos të prezantojnë gjatë votimit të rendit të ditës, veprim ky për ta vërtetuar se koalicioni qeverisës i kanë numrat për të proceduar  me seancën, në të kundërtën PVD u radhit në anën e krahut që dëshirojnë ta dërgojnë Preshevën në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përveç kryetares së degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani, edhe kryetari i Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, Sali Salihu, njëherit edhe kryetar aktual i Kuvendit, në një deklarim për PreshevaPRESS tha se partia e tij nuk do të lejojë të shpërndahet Kuvendi.

“Me garancion ju përgjigjem që termi shpërndarje e kuvendit nuk ekziston në fjalorin e Lëvizjes. E duke u lidhur me pjesën e dytë të pyetjes suaj, Lëvizja për Reforma ka lindur si nevojë e frymës së bashkëpunimit, demokracisë partiake dhe është bartëse e të gjitha proceseve demokratike, e gjithmonë pozitive për qytetarët e Komunës së Preshevës.”  ka thënë në deklarimin e tij për PreshevaPRESS, kryetari i Kuvendit, Sami Salihu.

Në vazhdën e përcjelljes së situatës dhe sjelljen sa më parë dhe në mënyrë të drejtë të informacionit tek lexuesit tonë, PreshevaPRESS dje ka raportuar për mbledhjet e ngjeshura të APN-së, përmes së cilave provoi gjatë tërë ditës së diel të sigurojë pjesëmarrjen e të gjithë këshilltarëve të saja në Kuvend, raportim pas së cilit Kryetari i Kuvendit të Preshevës, Sali Salihu, në orët e vona të mbrëmjes përsëri ka shtyrë seancën për herë të dytë në afat të pacaktuar.

PreshevaPRESS ka raportuar gjatë javës së kaluar se gara dhe mospajtimet brenda APN-së për emrin e kandidatit për deputet nga radhët e kësaj partie në listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare, ka krijuar përçarje edhe në qeverisjen lokale në Preshevë, gjë që ka shkaktuar edhe shtyerjen e seancës së parë të Kuvendit Komunal të Preshevës për dy her radhazi si pasojë e mungesës së numrave të nevojshëm për të kaluar vendimet e parapara për këtë seancë.

Gjatë ditës së sotme një portal në pronësi të këshilltarit të PDSH-së i cili ka kaluar në APN në muajin shkurt të vitit të kaluar, Pajtim Rexhepi, ka shkruar se seanca e parë e thirrur për 02 mars 2020, e cila u shty dy herë radhazi, do të mbahet nesër në orën 10:00.

PreshevaPRESS do të përcjellë situatën politike në Preshevë dhe do të ju njoftojë shpejt dhe me korrektësi për veprimet e partive politike dhe aktualitetet e reja  në lidhje me mbarëvajtjen e seancës së Kuvendit, duke u siguruar të ju sjellë informacione të sakta dhe sigurta në çdo kohë.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS