“Fronti për Ndryshim” i jep përkrahje Pajazitit: Shpresë për fundin e hijeve të zeza në Luginë

Pas kumtesës së djeshme të PVD-së, për dokumentin 10 pikësh të Kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, Fronti për Ndryshim ka shprehur përkrahje të plotë për paraqitjen e tij në takimet kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare, duke vlerësuar se ai është legjitim përfaqësues i shqiptarëve të Luginës dhe ka të drejtë të paraqesë propozime dhe sugjerime në emër të popullit.


Fronti për Ndryshim në Bujanoc ka shprehur përkrahje të plotë për kryetarin e Komunës, Arbër Pajaziti, duke vlerësuar paraqitjen e tij në takime të nivelit kombëtar, shtetëror dhe ndërkombëtar si “reprezentative dhe të denjë për përfaqësimin e shqiptarëve të Luginës”.

Në një kumtesë për media, Fronti thekson se Pajaziti, në bazë të kompetencave të tij ligjore, ka të drejtë të paraqesë dokumente me propozime, plane, vërejtje dhe sugjerime, duke nënvizuar legjitimitetin e tij të plotë si kryetar komune dhe si përfaqësues i subjektit fitues në zgjedhjet lokale – Frontit për Ndryshim.

Kritika të ashpra janë adresuar në drejtim të një pjese të opozitës shqiptare në Luginë, të cilët, sipas kumtesës, “duan të mbajnë autorësinë për gjithçka shqiptare”, ndonëse nuk përfaqësojnë asnjë shumicë reale.

“Sidomos jo ata që nuk arritën të sigurojnë as 200 vota në një vendvotim pas pesë përsëritjesh, e të cilëve nuk u mjaftuan as votuesit e sjellë nga vendbanime të tjera,” – thuhet në reagim.

Fronti akuzon më tej disa aktorë politikë për bashkëpunime me strukturat gjyqësore në Nish, përmes të cilave – siç thuhet – janë marrë poste, ndërkohë që të njëjtat gjykata “dënonin shqiptarët me mijëra vjet burg për terrorizëm”.

Kumtesa nuk kursen as kritikën ndaj atyre që “marrin iniciativa nga Facebook-u” apo që në prononcime publike “përmendin më shumë boshnjakët se shqiptarët”.

“Punët tona në Luginë, për fat të keq, kanë mbetur aty ku janë, vetëm falë çiftit të ‘udhëheqësve’ fiktivë, patriotëve të ditës dhe pazareve në hotelet e Beogradit gjatë natës,” – përfundon kumtesa.

Fronti për Ndryshim shprehet optimist se një kapitull i ri po hapet në Luginë, duke e cilësuar kryetarin Pajaziti si shpresën e vetme për t’i dhënë fund “hijeve të zeza” që kanë mbajtur peng jetën politike dhe institucionale të shqiptarëve të rajonit.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Nxënësit evakuohen me urgjencë, kërcënime me bomba në shkolla në gjithë Serbinë

PreshevaPRESS

Faturat e rrymës nga ky muaj rriten për 6,6%, konsumatorët hyjnë më shpejt në “zonën e kuqe”

PreshevaPRESS

‘Business Connection II’ sjell biznesmenët nga i gjithë rajoni në Bujanoc

PreshevaPRESS