Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka marrë vendim që Federata e Futbollit të Serbisë (FFS) të gjobitet me 80.000 franga zvicerane për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026, Serbia – Anglia, e zhvilluar më 9 shtator 2025 në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd.
Në vendimin e FIFA-s theksohen disa shkelje:
- mosgarantimi i rendit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit,
- përdorimi i lazerëve dhe gjesteve, fjalëve e objekteve të papërshtatshme,
- pengimi gjatë intonimit të himneve kombëtare,
- sjellje diskriminuese nga një pjesë e tifozëve.
Përveç gjobës, FFS është urdhëruar që ndeshjen e radhës të përfaqësueses “A” në garat e FIFA-s, kundër Shqipërisë në Leskovc, ta zhvillojë me kapacitet të kufizuar të shikuesve. Sipas vendimit, së paku 20% e tribunave, kryesisht ato prapa portave, do të jenë të mbyllura, raporton FOLonline, transmeton PreshevaPRESS.
Federata serbe është e obliguar t’i dorëzojë FIFA-s planin e ulëseve jo më vonë se 10 ditë para ndeshjes, ku duhet të përfshihen edhe aktivitete kundër diskriminimit (si mbajtja e fanellave ose ekspozimi i pankartave me mesazhe sensibilizuese). Me miratim paraprak të FIFA-s, një pjesë e kapacitetit mund të rezervohet për grupe të veçanta interesi – familje, nxënës dhe organizata që merren me luftën kundër diskriminimit.
FFS ka njoftuar se do të zbatojë vendimin dhe do të marrë masa shtesë për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme në të ardhmen, ka shkruar FOLonline.