Pas njoftimit të Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se Serbia ka bllokuar fondet e destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, liderë politikë dhe institucionalë në këtë rajon kanë reaguar ashpër, duke dënuar këtë veprim si diskriminues dhe të qëllimshëm.
Shaip Kamberi, kryetar i PVD-së dhe deputet në Kuvendin e Serbisë, tha se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i rastësishëm, por sistematik dhe i organizuar. Ai theksoi se refuzimi i pagesës për 35,448 tekste shkollore për 3,650 nxënës shqiptarë tregon arbitraritetin administrativ me të cilin trajtohen shqiptarët.
Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), e cilësoi bllokimin si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj përfaqësimit institucional dhe theksoi se këto mjete janë të dedikuara për mbështetjen e nxënësve dhe institucioneve shqiptare. Ai paralajmëroi se KKSH-ja do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të adresuar këto pengesa.
Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës, nënvizoi se pengesat ndaj shqiptarëve nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një politike administrative diskriminuese, ndërsa paralajmëroi se do të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndalur këto praktika.
Arbër Pajaziti, kryetar i Komunës së Bujanocit, theksoi se bllokimi i fondeve është sabotim institucional dhe kërcënim për fëmijët dhe arsimin, duke paralajmëruar se moszhbllokimi i mjeteve do të krijojë precedent të rrezikshëm.
Shqiprim Musliu, kryetar i LPD-së, e cilësoi veprimin e Serbisë si akt të turpshëm që godet fëmijët dhe kërkoi ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për të garantuar të drejtën e tyre për arsim në gjuhën amtare.
Partia Demokratike në Bujanoc e dënoi bllokimin si sulm ndaj të drejtave themelore të shqiptarëve dhe u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të ushtrojnë presion mbi Serbinë për respektimin e të drejtave të komunitetit.
Ragmi Mustafi, këshilltar i Qeverisë së Kosovës, deklaroi se Serbia frikësohet nga ndikimi real i Kosovës në Luginë, duke përdorur çdo mundësi për të bllokuar fonde, programe dhe mbështetje institucionale, ndërsa shqiptarët e Luginës nuk do të jenë më peng i skenarëve që synojnë dobësimin e identitetit dhe institucioneve të tyre.
Reagimet e shumta nënvizojnë një mesazh të përbashkët: mbështetja e Kosovës për shqiptarët e Luginës duhet të arrijë tek fëmijët, familjet dhe institucionet, pavarësisht pengesave administrative dhe politike nga autoritetet serbe. /rtvpresheva.com
