Është mbajtur takimi i Presidentes me partitë politike në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka folur pas takimit që ka mbajtur me përfaqësues të partive politike për të folur rreth datës së zgjedhjeve të rregullta.


Pavarësisht se e konfirmuan pjesëmarrjen, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shkuar në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Osmani ka folur për mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë takim dhe gatishmërinë e Glauk Konjufcës që ta përfaqësojë VV-në në cilësinë e nënkryetarit. Osmani ka thënë se ia kanë bërë me dije Konjufcës që takimi është ftuar vetëm në nivel kryetarësh dhe se Konjufca më mirëkuptim e ka zbatuar qëndrimin e presidencës.

“Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmëri që të vijë në takim, mirëpo meqenëse të gjitha partitë kanë qenë të njoftuar se ky takim ka qenë në nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai me mirëkuptim e ka zbatuar”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se në takimin e sotëm s’ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Osmani ka thënë se nuk i dinë arsyet se pse Kurti s’ka marrë pjesë dhe u ka thënë gazetarëve se mund të shkojnë ta pyesin në zyrën e tij, duke supozuar se Kurti ndodhet në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës, objekti i të cilës është shumë afër me Presidencën.

Në takim ishin prezent kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Mimoza Kusari-Lila përfaqëson partinë Alternativa, kurse Faton Peci udhëheq “Listën GUXO”.

Në ftesën që presidentja u ka dërguar liderëve partiakë është paraparë që zgjedhjet të mbahen mes datave 26 janar dhe 16 shkurt të vitit 2025.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021 kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit konsultativ që pati me shumicën e liderëve të partive përfaqësuese në Kuvend tha se nuk kishte shumë insistime për ndonjë datë të caktuar për shpalljen e zgjedhjeve dhe se partitë patën disa preferenca, por pak dallime.

Ajo tha se ligji i cakton afatet brenda së cilave ajo mund t’i bëjë konsultimet dhe më pas shpalljen e zgjedhjeve.

“Sipas ligjit janë 4 data për zgjedhje. E para 26 janari, pastaj 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti”.

“Diskutimi ynë ishte në kontekst të këtyre katër datave. Siç edhe mund ta paramendoni nuk kishte një insistim të tepër, kishte preferenca sepse nuk është dallimi shumë i madh, po flasim për pak javë. Disa parti 26 janarin, tri-katër tjera që preferuan 9 shkurtin, dy-tri 16 shkurtin dhe kishte parti që s’kishin preferencë. Ende jemi brenda afatit të konsultimeve”.

Ajo tha se nga data 26 korrik e tutje, presidentja e vendit fiton të drejtën me i shpallë zgjedhjet.

“Afatet veçse ekzistojnë. S’kishte kërkesë për konsultime shtesë. Do ta bëjmë analizat e të gjithave datave dhe elementet përkatëse që mund të jenë me rëndësi që edhe ta bëjmë publike datën e zgjedhjeve”.

Në fillim të konferencës, Osmani e potencoi se “është hera e parë pas pavarësisë që po mbajmë konsultime për zgjedhje të rregullta për Kuvendin e Kosovës”.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

PreshevaPRESS

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

PreshevaPRESS