Enti parashkollor “8 Marsi” në Preshevë ka nisur sot një iniciativë për përmirësimin e ambientit të jashtëm të institucionit, duke filluar lyerjen dekorative të rrethojave me ngjyra të ndryshme.
Kjo nismë vjen me iniciativën e drejtorit Bejzad Asllani, në bashkëpunim me edukatorët dhe stafin menaxhues të çerdhes. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, drejtori ka ndarë disa fotografi nga ky aktivitet, duke theksuar angazhimin e stafit për një mjedis më të ngrohtë dhe mikpritës për fëmijët.
Në një prononcim për PreshevaPRESS, Asllani tha se projekti po realizohet tërësisht nga vetë stafi i çerdhes dhe financohet nga buxheti i institucionit.
“Punën jemi duke e kryer me punëtorët dhe edukatorët tanë. E gjithë nisma po realizohet në mënyrë vullnetare, ndërsa financimi mbulohet nga buxheti i çerdhes,” u shpreh ai.
Ky veprim synon të krijojë një ambient më tërheqës dhe stimulues për fëmijët, si dhe të forcojë ndjenjën e përkatësisë mes stafit dhe institucionit.