Pas një pauze të seancave të Kuvendit Komunal në Preshevë, Partia për Veprim Demokratik përmes një konference për media ka paralajmëruar disa aksione opozitare e që kanë të bëjnë me mosrealizimin e premtimeve të dhëna nga Shqiprim Arifi, duke u ndalur në premtimin për kthimin e gjykatës.
PreshevaPRESS për herë të parë ju sjell dokument ekskluziv të siguruar në mënyrë ligjore e që dëshmon komunikimin e kryetarit Shqiprim Arifi me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë, gjatë kohës kur ishte kryetar i organit të përkohshëm, i emëruar nga kryeministrja Bërnabiq.
Në këtë dokument të cilin PreshevaPRESS e publikon për herë të parë Shqiprim Arifi nuk kërkon kthimin e gjykatës dhe prokurorisë në Preshevë, por hapjen e një njësie, e cila do të ofronte vetëm disa prej shërbimeve që ofron gjykata themelore.
“Duke ditur se procesi i ndryshimit të ligjit është tepër i vështirë, përkatësisht për të propozuar ndryshimin e ligjit sipas nenit 107 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë të drejtë për të propozuar kanë më së paku 30000 votues, proces i cili është shumë i vështirë dhe gjithashtu pa garancinë se ligji i propozuar mundë të votohet në Kuvendin Republikan, propozojmë që me qëllim që të zbutet padrejtësia dhe diskriminimi i banorëve të Komunës së Preshevës, në të njëjtën komunë të themelohet njësia e gjykatës dhe prokurorisë në Preshevë” thuhet në kërkesën e Shqiprim Arifit drejtuar Ministrisë së Drejtësisë më 20.01.2018.
Përveç që Shqiprim Arifi nuk kërkon kthimin e gjykatës themelore dhe prokurorisë në Preshevë, ai në këtë shkresë gjithashtu Republikës së Kosovës i referohet si Kosovë dhe kufirin mes Kosovës dhe Serbisë e quan “vendkalim administrativ“.
Në dokumentin që PreshevaPRESS sjell ekskluzivisht për herë të parë përveç tjerash Shqiprim Arifi në pozitën e kryetarit të organit të përkohshëm të emëruar nga kryeministrja Bërnabiq më 14.09.2017, shkruan se “me hapjen e njësisë së gjykatës dhe njësisë së prokurorisë do të përmirësohej bashkëpunimi mes shtetit dhe popullatës shqiptare.“
Në vazhdim keni dokumentin që dëshmon që Shqiprim Arifi nuk ka kërkuar asnjëherë kthimin e gjykatës dhe prokurorisë në Preshevë, e që PreshevaPRESS e sjell ekskluzivisht për lexuesit e saj.