Më 26 shtator, Bujanoci pret edicionin e katërt të Konferencës Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën”. Për herë të parë, aktiviteti zhvendoset nga Presheva në Bujanoc, ndërsa organizatorët synojnë që një nismë e cila nisi si hapësirë diskutimi të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një platformë për lidhje biznesore, investime, partneritete dhe punësim në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Nga një platformë diskutimi në një hapësirë bashkëpunimi
Zhvillimi ekonomik i Luginës së Preshevës është prej vitesh i lidhur me nevojën për investime, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e bizneseve lokale dhe krijimin e lidhjeve më të qëndrueshme me tregjet rajonale e ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Konferenca Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën” synon të krijojë një hapësirë ku afaristët, institucionet, investitorët dhe diaspora mund të diskutojnë për problemet, por edhe të kërkojnë forma konkrete bashkëpunimi.
Nga edicioni i parë deri te edicioni i katërt, sipas organizatorëve, vetë koncepti i konferencës ka ndryshuar.
“Nga edicioni i parë deri te edicioni i katërt, Konferenca Ekonomike ka kaluar nga një platformë diskutimi në një platformë konkrete bashkëpunimi dhe lidhjeje biznesore”, thotë Xhelal Mehmeti nga Unioni i afaristeve “Vizioni” për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sipas tij, në fillim konferenca kishte për qëllim kryesisht ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e zhvillimit ekonomik në Luginën e Preshevës dhe krijimin e kontakteve të para mes afaristëve, institucioneve dhe investitorëve.
“Në fillim, qëllimi kryesor ishte të ngrihej vetëdija për rëndësinë e zhvillimit ekonomik në Luginën e Preshevës dhe të krijoheshin kontaktet e para mes afaristëve, institucioneve dhe investitorëve”, shprehet Mehmeti.
Katër edicione më vonë, organizatorët thonë se konferenca ka marrë një dimension më të gjerë rajonal. Në edicionin e sivjetmë pritet pjesëmarrja e bizneseve nga vende të ndryshme të Ballkanit, përfaqësuesve të institucioneve, odave ekonomike, investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Sot, në edicionin e katërt, konferenca ka fituar një dimension më të madh rajonal, me pjesëmarrje të bizneseve nga vende të ndryshme të Ballkanit, përfaqësues të institucioneve, odave ekonomike, investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thotë ai.
Sipas Mehmetit, gjatë kësaj periudhe janë zgjeruar temat e diskutimit dhe është forcuar komponenta e takimeve B2B, me synimin që konferenca të prodhojë rezultate më konkrete për ekonominë dhe punësimin në Luginë.
“Është rritur numri i pjesëmarrësve, janë zgjeruar temat e diskutimit dhe është forcuar komponenta e takimeve B2B, me synimin që konferenca të prodhojë rezultate konkrete për ekonominë dhe punësimin në Luginën e Preshevës”, deklaron Mehmeti.
Çfarë kanë prodhuar tri edicionet e mëparshme?
Përtej programit të edicionit të katërt, një nga pyetjet kryesore lidhet me rezultatet e tri konferencave të mëparshme.
Sipas organizatorëve, këto aktivitete nuk kanë mbetur vetëm në nivelin e diskutimeve, por kanë krijuar edhe mundësi për bashkëpunim ekonomik.
“Tri edicionet e deritanishme kanë sjellë rezultate të prekshme. Përmes konferencave janë krijuar kontakte të reja biznesore, janë realizuar marrëveshje bashkëpunimi dhe janë hapur mundësi për investime dhe punësim”, thotë Mehmeti.
Ai thekson se konferencat kanë shërbyer si hapësirë për krijimin e lidhjeve të reja mes afaristëve lokalë, kompanive nga rajoni dhe diasporës.
“Shumë afaristë kanë gjetur partnerë të rinj, ndërsa të rinjtë dhe profesionistët kanë krijuar ura bashkëpunimi me kompani nga rajoni dhe diaspora”, shprehet ai.
Një tjetër aspekt që përmend organizatori është promovimi i potencialeve ekonomike të Luginës së Preshevës dhe rritja e interesimit ndaj saj nga investitorë dhe institucione.
“Gjithashtu, konferenca ka ndihmuar në promovimin e potencialeve ekonomike të Luginës së Preshevës dhe në vendosjen e saj në hartën e interesimit të investitorëve dhe institucioneve”, thotë Mehmeti.
Sipas tij, për disa pjesëmarrës, konferencat kanë sjellë edhe rezultate në fushën e punësimit dhe bashkëpunimit ekonomik.
“Për disa pjesëmarrës, konferenca ka sjellë edhe rezultate konkrete në punësim dhe bashkëpunim ekonomik, duke dëshmuar se lidhja e njerëzve dhe e bizneseve krijon mundësi reale zhvillimi”, deklaron ai.
Megjithatë, në përgjigjet e dhëna nga organizatori nuk janë specifikuar numri i marrëveshjeve të realizuara, vlera e investimeve, numri i vendeve të reja të punës apo raste të veçanta të bizneseve që kanë përfituar nga këto kontakte.
Kjo e lë të hapur një pyetje të rëndësishme për edicionin e katërt: sa prej kontakteve të krijuara në konferencat e kaluara janë shndërruar në rezultate të matshme jashtë sallës së konferencës?
Pse konferenca zhvendoset në Bujanoc?
Tri edicionet e para të Konferencës Ekonomike janë mbajtur në Preshevë. Këtë vit, për herë të parë, aktiviteti do të zhvillohet në Bujanoc.
Sipas organizatorëve, zhvendosja nuk është vetëm çështje lokacioni, por lidhet me synimin që konferenca të ketë karakter të përbashkët për të gjithë Luginën.
“Konferenca e katërt mbahet në Bujanoc si pjesë e një koncepti gjithëpërfshirës për zhvillimin ekonomik të të gjithë Luginës së Preshevës”, shpjegon Mehmeti.
Ai thotë se qëllimi është që konferenca të mos identifikohet vetëm me një qytet.
“Qëllimi i organizatorëve është që kjo konferencë të mos identifikohet vetëm me një qytet, por të shërbejë si platformë e përbashkët për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën”, deklaron ai.
Bujanoci është zgjedhur këtë vit për arsye organizative, por edhe për të përcjellë një mesazh mbi zhvillimin e balancuar ekonomik të Luginës.
“Bujanoci është zgjedhur këtë vit për arsye organizative dhe për të dhënë mesazhin se zhvillimi ekonomik duhet të jetë i balancuar dhe se çdo komunë e Luginës ka potencialet e veta”, thotë Mehmeti.
Sipas tij, në të ardhmen konferenca mund të organizohet edhe në vende të tjera të Luginës, duke ruajtur karakterin rajonal.
“Në të ardhmen, konferenca mund të organizohet edhe në vende të tjera të Luginës, duke ruajtur karakterin e saj rajonal dhe gjithëpërfshirës”, shton ai.
Kjo qasje e vendos konferencën në një kornizë më të gjerë sesa një aktivitet i lidhur vetëm me Preshevën ose Bujanocin. Ideja është që bizneset dhe potencialet ekonomike të të trija komunave të trajtohen si pjesë e një hapësire të përbashkët.
“Mesazhi kryesor mbetet i njëjtë: “Ekonomia shpëton Luginën”, dhe ky është një mision që i bashkon të gjitha qytetet dhe qytetarët e Luginës së Preshevës”, thekson Mehmeti.
Bizneset lokale përballë tregjeve të reja
Një prej synimeve të edicionit të katërt është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet bizneseve lokale, investitorëve, institucioneve dhe diasporës.
Programi i konferencës përfshin tema që lidhen me investimet, zhvillimin e qëndrueshëm, fuqizimin dhe promovimin e prodhuesve vendorë, vendosjen e produkteve në tregjet rajonale e ndërkombëtare, si dhe përfshirjen e diasporës.
Për bizneset e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, sfida nuk lidhet vetëm me prodhimin apo ofrimin e shërbimeve. Ajo lidhet edhe me gjetjen e partnerëve, sigurimin e investimeve, zgjerimin e tregut dhe krijimin e kushteve për rritje.
Në këtë kuadër, organizatorët u kanë bërë thirrje të gjithë afaristëve, sipërmarrësve, kompanive dhe bizneseve nga tri komunat që të jenë pjesë e konferencës.
“Kjo konferencë është një mundësi për të takuar partnerë të rinj, për të prezantuar bizneset tona, për të shkëmbyer përvoja dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani nga rajoni dhe diaspora”, thuhet në ftesën e organizatorëve, të përcjellë nga Mehmeti.
Pjesëmarrja e bizneseve lokale shihet si e rëndësishme jo vetëm për promovimin e aktiviteteve të tyre, por edhe për krijimin e një klime më të mirë ekonomike në Luginë.
“Ne besojmë se zhvillimi ekonomik i Luginës kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e të gjithë afaristëve”, deklaron Mehmeti.
Ai shton se pjesëmarrja në konferencë duhet të shihet si një mundësi që tejkalon interesin individual të një kompanie.
“Prandaj, prania juaj në këtë konferencë është e rëndësishme, jo vetëm për biznesin tuaj, por edhe për krijimin e një klime më të mirë ekonomike dhe për një të ardhme më të zhvilluar të Luginës së Preshevës”, thekson ai.
Takimet B2B: nga diskutimi te kontakti i drejtpërdrejtë
Një nga pjesët kryesore të edicionit të katërt do të jenë takimet B2B, përmes të cilave bizneset do të kenë mundësi të prezantojnë aktivitetin e tyre, të shpalosin idetë dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me partnerë ose investitorë potencialë.
Këto takime synojnë të krijojnë një hapësirë më praktike sesa panelet e diskutimit. Në to, bizneset mund të prezantojnë nevojat e tyre, të diskutojnë mundësi bashkëpunimi dhe të shqyrtojnë forma të reja partneriteti.
Sipas organizatorëve, forcimi i komponentës B2B është një nga ndryshimet kryesore të konferencës në edicionin e katërt.
Megjithatë, ndikimi i këtyre takimeve do të mund të vlerësohet më qartë vetëm pas përfundimit të aktivitetit: sa kontakte do të krijohen, sa prej tyre do të vazhdojnë më tej dhe nëse do të shndërrohen në marrëveshje konkrete.
Kjo është edhe sfida kryesore e një platforme që synon të kalojë nga diskutimi te bashkëpunimi ekonomik.
Diaspora dhe lidhjet me tregjet jashtë Luginës
Pjesëmarrja e diasporës është një tjetër element i rëndësishëm i konferencës.
Për bizneset e Luginës, diaspora mund të jetë burim i kapitalit, përvojës, lidhjeve tregtare dhe qasjes në tregje të reja. Për kompanitë jashtë Luginës, ndërkaq, konferenca mund të krijojë mundësi për të njohur prodhuesit, shërbimet dhe potencialet ekonomike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në këtë kuadër, organizatorët synojnë që konferenca të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet bizneseve lokale dhe kompanive nga rajoni e diaspora.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa nga ky potencial do të shndërrohet në investime konkrete, partneritete të qëndrueshme, zgjerim të eksporteve apo vende të reja pune.
Një ditë e dedikuar ekonomisë së Luginës
Edicioni i katërt i Konferencës Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën” do të mbahet më 26 shtator 2026, në Restaurant Agimi Imperial, në rrugën e Gjilanit 37a në Bujanoc.
Programi i paraparë është:
-
09:00 – Regjistrimi i pjesëmarrësve;
-
10:00 – Hapja zyrtare;
-
12:00–13:30 – Dreka;
-
13:30–15:00 – Panelet e diskutimit;
-
15:00–17:00 – Takimet B2B;
-
19:00–00:00 – Darka gala.
Aktiviteti organizohet nga Unioni i afaristeve “Vizioni” për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në bashkëpunim me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe Rrjetin Global të Bizneseve Shqiptare.
Konferenca do të mbledhë afaristë, sipërmarrës, kompani, investitorë, përfaqësues institucionesh, ekspertë ekonomikë dhe pjesëtarë të diasporës.
Çfarë mbetet pas konferencës?
Pas katër edicionesh, konferenca synon të jetë më shumë sesa një aktivitet i përvitshëm.
Organizatorët e shohin atë si një proces përmes të cilit mund të krijohen lidhje të reja ekonomike dhe të hapen mundësi për bizneset e Luginës.
Por rezultati i vërtetë i një konference të tillë nuk përcaktohet vetëm nga numri i pjesëmarrësve apo nga temat e trajtuara në panele. Ai matet edhe me atë që ndodh pas përfundimit të aktivitetit.
A do të ketë marrëveshje të reja? A do të krijohen partneritete mes bizneseve lokale dhe kompanive nga rajoni apo diaspora? A do të hapen mundësi të reja për investime dhe punësim? A do të arrijnë produktet e Luginës në tregje të reja?
Këto janë pyetjet që do ta përcaktojnë ndikimin e edicionit të katërt.
Deri atëherë, konferenca paraqet një përpjekje për ta bashkuar potencialin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në një platformë të vetme.
Nga njëra anë janë bizneset lokale që kërkojnë partnerë, investime dhe tregje. Nga ana tjetër janë investitorët, diaspora dhe kompanitë e rajonit që mund të ofrojnë kapital, përvojë dhe lidhje të reja.
Mes tyre qëndron konferenca, me synimin që këto interesa të takohen.
Nëse këto takime do të shndërrohen në rezultate të matshme, atëherë motoja “Ekonomia shpëton Luginën” do të mund të marrë një kuptim më konkret.
Për momentin, edicioni i katërt paraqet një tjetër përpjekje për ta kthyer potencialin ekonomik të Luginës nga temë diskutimi në bashkëpunim dhe mundësi zhvillimi.



