Dibra dhe Zhupa në izolim për 14 ditë

Qyteti i Dibrës dhe qendra e Zhupës, rajone këto në perëndim të Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mbeten në izolim të plotë që nga 13 marsi me vendim të Qeverisë si masë preventive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.


Në këto dy rajone tashmë janë regjistruar 2 viktima nga koronavirusi përderisa 43 persona të diagnostikuar me koronavirus kurohen në Klinikën Infektive të Shkupit dhe një pjesë ndodhen në kurim shtëpiak.

Një nga të infektuarit me koronavirus është dhe Arben Agolli, mjek i cili rezultoi pozitiv me koronavirus bashkë me ekipin tjetër të ordinancës së tij në Dibër ndodhet në kurim shtëpiak që nga 17 marsi.

Çarshia e Shkupit në kohën e pandemisë

Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se sëmundjen e ka përballuar jo me shumë vështirësi duke qëndruar në izolim gjatë tërë kohës në kushte shtëpie ndërkohë pret që në testimin e radhës të dalë negative.

“Relativisht jam mirë, jam duke marrë terapinë që më kanë rekomanduar infetologët edhe këta që janë këtu në Dibër po edhe mjekët infektologë kolegë të mi që janë në Klinikën e Shkupit, ndjehem mirë relativisht , nuk kam shqetësime nuk kam temperaturë, nuk kam as dhembje muskujsh dhe pres që të mbarojnë këto ditët e karantinimit sepse duke nisur nga natyra ime si njeri energjik dhe tërë kohën në lëvizje më mungon pak”, tha ai.

Agolli si mjek thotë se me rëndësi të veçantë në këtë situatë është mbrojtja e stafit mjekësor të cilët janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin.

“Pacientët nuk duhet që për çdo ankesë të drejtohen në spital ose në ambulancën e mjekut amë, më e mira për të shmangur infeksionin nga koronavirusi është që të dëgjohen pacientët përmes telefonit me mjekun amë për t’i treguar shqetësimin që ka dhe të marrë rekomandimet përkatëse për gjendjen shëndetësore që ka”, tha ai.

Në qytetin e Dibrës mbeten në në izolim shtëpiak 208 persona, të cilët kontrollohen vazhdimisht nga zyrtarët policorë.

Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, bën të ditur se gjendja e krizës mbetet në fuqi dhe në këtë komunë lejohen të hyjnë vetëm kamionët që transportojnë ushqim, medikamente dhe mjete higjienike si dhe mallrat e fabrikave që verojnë në këtë rajon.

Hekuran Duka, kryetar i komunës së Dibrës, i cili drejton dhe shtabin e emergjencës në këtë qytet, shton se dibranët maksimalisht janë duke respektuar rekomandimet e organeve kompetente për të qëndruar në shtëpi.

Duka ka bërë të ditur se ka përfunduar dhe karantina 14 ditore për të gjithë qytetarët që u gjendën në Dibër në kohën e shpalljes së krizës, pjesa më e madhe e të cilëve ndodheshin në Banjat termale të Dibrës.

Ndërkaq, Arbana Qormemeti, profesoreshë në gjimnazin e Dibrës, thotë se qyteti ku jeton është tërësisht i zbrazët.

Ora policore në Maqedoni të Veriut

Ajo rekomandon që në këtë kohë të rinjtë sa më shumë ta kalojnë në përvetësimin e dijes përmes sistemit online.

“Nuk ka nevojë për shqetësim për mësimet dhe jam e bindur se do të korrim sukses edhe përmes kësaj forme të zhvillimit të mësimit (online), por theksoj se tani më me rëndësi është shëndeti i nxënësve, shëndeti i të gjithë qyetarëve”.

“Ne kërkojmë që nxënësit të mbeten në shtëpi sado që i vështirë të jetë izolimi për të rinjtë, ata duhet të qëndrojnë si masë perventive sepse infeksioni në qyetin e Dibrës është në shifra të larta”, thotë Arbana Qormemeti.

Autoritet e Dibrës kanë bërë të ditur se dyqanet vazhdimisht janë të pajisura me produkte ushqimore si dhe farmacitë me të gjitha ilaçet e nevojshme.

Por, problem theksojnë se mbetet furnizimi me maska dorëza dhe mjete për dezinfektim.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut të premten deri në mesditë numri të infektuarve me virusin Covid-19 ka arritur në 219. /REL

ARTIKUJT E NGJASHËM

Turqia e pavendosur, edhe pse është në NATO dëshiron të anëtarsohet edhe në BRICS

PreshevaPRESS

Nga sot ndryshon rregullorja e udhëtimeve brenda BE, njihuni me rregullat që do të ballafaqoheni

PreshevaPRESS

Alarmon Fajon: I trembem faktit se Schengeni po mbyllet si shkak i kërcënimeve në rajon

PreshevaPRESS