Deputeti i rizgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë pas vizitës në Tiranë, po zhvillon takime konsultive me partitë politike në Kosovë.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherit edhe deputet i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, pas takimit me shefin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kryeminstrin shqiptar Edi Rama, po vazhdon takimet në Prishtinë.
Kamberi i shoqëruar nga dy nënkryetarët e PVD-së, Ardita Sinani dhe Burhan Halili, në kuadër të vizitës në Prishtinë ka zhvilluar takime me krerët e partive politike në Kosovë.
Të parin që kanë takuar ka qenë bashkëvendasi i Kamberit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, me ç`rast Kamberi ka faleminderuar për përkrahjen dhe angazhimin e dhënë për ta përfunduar me fitore betejën politike për përfaqësim parlamentar, ka shkruar mes tjerash Kamberi në facebook.
“Lumirit dhe delegacionit të LDK-së iu faleminderuam për përkrahjen dhe angazhimin e dhënë për ta përfunduar me fitore betejën tonë politike për përfaqësim parlamentar. Mbështetja për sensibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës duhet të jetë gjithëpërfshirëse e mbarëkombëtare.” thuhet në njoftimin e Kamberit për takimin në LDK.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se gjatë takimit përveç që është biseduar për gjendjen e shqiptarëve dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale ndaj popullatës shqiptare në Luginë, temë ka qenë edhe regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në Serbi.
“Me Shaipin, nënkryetaren Ardita Sinani, si dhe me bashkëpunëtorë të tjerë partiak nga PVD, biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale ndaj popullatës shqiptare atje. Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, mbështetja financiare për Luginë si dhe sigurimi i teksteve falas shkollore për 4 mijë nxënës shqiptarë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë disa nga temat që do t’i ngrisim së bashku në çdo adresim tonin institucional dhe jo vetëm.” ka shkruar Abdixhiku në faqen e tij në facebook.
Pas takimit me Abdixhikun, delegacioni i udhëhequr nga Kamberi ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Memli Krasniqin, gjatë së cilit takim Kamberi njofton se ishin atje për të shprehur falenderime për mbështetjen e sinqertë dhe të parezervë që ia ka dhanë Krasniqi në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Derisa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi duke e cilësuar Kamberin si patriot të pandalshëm e shembullor të Luginës, ka thënë se gjatë zgjedhjeve pati pengesa e shantazhe të ndryshme.
“Përtej pengesave e shantazheve, zëri i Shaip Kamberit, patriotit të pandalshëm e shembullor të Luginës, do të jehoj guximshëm edhe këtë mandat në Kuvendin e Serbisë, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. Faleminderit për vizitën e të priftë e mbara, mik!” ka shkruar Krasniqi në facebook.
Përveç Kamberit, edhe nënkryetarja e PVD-së Ardita Sinani ka reaguar në rrjetin shoqëror facebook. Ajo ka shkruar se së bashku me kryetarin, z.Shaip Kamberi dhe nënkryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, z.Burhan Halili, kanë diskutuar për gjendjen aktuale politike në Luginë të Preshevës dhe nevojën e bashkëpunimit me çdo faktor relevant politik në Republikën e Kosovës.
“Një politikë e brendshme e bashkërenduar në Kosovë për Luginën e Preshevës është jo vetëm interes kombëtar, por edhe mundësi zhvillimore. Për këtë qëllim të përbashkët bashkëbiseduam sot ndarazi në Prishtinë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorët e tyre” ka shkruar mes tjerash Ardita Sinani në facebook.
PreshevaPRESS ka mësuar se Kamberi momentalisht po realizon takim me ish partnerin e koalicionit në Sanxhak, Sulejman Uglanin, derisa të premten do të takojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe gjatë ditëve në vijim përfaqësues institucional dhe politik nga rajoni.