DEPUTETËT E KOSOVËS PAS BUJANOCIT, SOT VIZITOJNË PRESHEVËN

Tre Komisione parlamentare nga Kuvendi i Kosovës, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë ditës së djeshme kanë nisur vizitën tre ditore në Luginë të Preshevës.


Ata fillimisht kanë vizituar shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë të Medvegjës, ku janë pritur nga drejtoresha e shkollës dhe përfaqësuesit shqiptarë të Komunës së Medvegjës. Përfaqësuesit e parlamentit të Kosovës nga afër janë njoftuar me problemet thelbësore të arsimit shqip në Medvegjë, mbi të gjitha me mungesën e teksteve mësimore, mospranimin e diplomave nga Kosova, mungesa e kuadrove shqiptare dhe numri tejet i vogël i nxënësve shqiptarë në ketë komunë.

Delegacioni nga Kosova i përbërë nga deputetët Nait Hasani, Teutë Haxhiu, Ismajl Kurteshi, Arban Abrashi, Arbërie Nagavci dhe Valon Ramadani pas vizitës në Medvegjë, takimet i vazhduan në Komunën e Bujjanocit, ku takuan udhëheqjen lokale, atë të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësues të partive politike shqiptare në këtë komunë. 

Delegacioni nga Kosova në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga kryetari dhe kryesia e KKSHku u njoftuan me gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, vështirësitë dhe sfidat që po kalojnë qytetarët tanë si dhe mundësitë e bashkëpunimit të KKSH dhe këtyre komisioneve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Në këtë takim u prekën dhe diskutuan shumë çështje, në fokus të së cilës ishin: sfidat në arsim, kërkesë për mbështetje institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pajisjen me dokumente të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Kosovës, mbështetje në fushat të cilat janë edhe kompetencë e këtyre komisioneve dhe KKSH.” thuhet në komunikatën e KNSH-së në facebook.

Deputet të Kuvendit të Kosovës janë pritur edhe nga kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

“Bashkë me deputetët diskutuam për nevojën e përkrahjes praktike që i kontribuon zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, problemit të liçensimit të mjekëve të diplomuar në Universitetin e Prishtinës, nostrifikimin e diplomave dhe çështje tjera”, ka shkruar Kamberi.

Sipas Kamberit u potencua se prezenca e Kosovës me projekte konkrete në Luginën e Preshevës ngjallë shpresë dhe përkujdesje për gjeneratat e reja që jetojnë këtu.

Përveç përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe atij nacional, deputetët e Kuvendit të Kosovës takuan edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Bujanoc me çrast diskutuan për problemet e akumuluara ndër vite të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e sidomos problemet me tekstet mësimore, mosnjohja e diplomave, pasivizimi i vendbanime shqiptare, emigrimi i të rinjëve si pasojë e diskriminimit shtetëror, etj.

U kërkua që Qeveria e Republikës së Kosovës të jetë më shumë prezente në Luginë përmes projekteve konkrete duke ndihmuar financiarisht, dhe deputetët u zotuan se do të procedojnë në Parlament kërkesat e shqiptarëve të Luginës.

Në kuadër të vizitës në Luginë, gjashtë deputetët nga Kuvendi i Kosovës, sot do të vizitojnë shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc dhe më pas do të udhëtojnë drejt Komunës së Preshevës.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS