Në një mbrëmje të zakonshme në Preshevë, rrugët, rreth orës 20:30, mbushen me të rinj që ecin pa një drejtim të caktuar — herë ndalen në një kafeteri, herë kalojnë në një tjetër. Këto shëtitje nuk janë rekreacion, por një arratisje e përkohshme nga realiteti i zbrazët, ku mungojnë edhe parqet më bazike, ndërsa fjala “qendër kulturore” tingëllon si një luks i paarritshëm.
Por a janë kafenetë vërtet vendet ku të rinjtë duan të kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre? Apo ndodhen aty thjesht sepse nuk kanë një hapësirë tjetër ku të krijojnë, të shprehen, apo thjesht të jenë vetvetja?
Prej më shumë se dy dekadash, të rinjtë e kësaj zone përballen çdo ditë me një boshllëk që nuk mbushet as me ëndrra, e as me trendet më të fundit të internetit. Në këtë boshllëk, në një vend ku kultura duket se ka humbur adresën, heshtja sociale është bërë më e fortë se çdo zë rinor. Zhvillimi personal zbehet në mungesë të perspektivës, ndërsa rritja kulturore është shndërruar në privilegj, jo në të drejtë.
Hapësirat kulturore nuk janë thjesht mure dhe karrige. Ato janë shtylla mbi të cilat ndërtohen identitetet, zhvillohen talentet dhe forcohet ndjenja e përkatësisë. Janë vendet ku një i ri mund të zbulojë pasionin për artin, muzikën, teatrin apo debatin publik. Në mungesë të tyre, rinia e Preshevës mbetet e privuar nga një ndër elementët më thelbësorë të zhvillimit të shëndetshëm, si në nivel personal, ashtu edhe në atë shoqëror.
Një kohë kur arti ishte strehë, e jo dekor
Pa dashur të kthejmë historinë e Preshevës në një përrallë me fund të panjohur, duhet thënë se dikur, në këtë vend, lulëzonin veprimtari të pasura kulturore: bibliotekat, kinemaja, botimet letrare. Vitet ’90 ishin kulmi i zhvillimit kulturor në Preshevë, dhe individët që dikur ishin pjesë e këtyre organizimeve, me mallëngjim e kujtojnë atë kohë si një periudhë kur Presheva ishte një nga qendrat e rëndësishme të kulturës mbarëkombëtare.
“Presheva heroike, kulturore, arsimore, kishte veprimtari të bollshme edhe para viteve ’90. U themelua Shtëpia e Kulturës ‘Abdulla Krashnica’, u shënua 50-vjetori i Shkollës së Parë Shqipe në Preshevë dhe u hartuan dy monografi: një për arsimin fillor dhe tjetra për kulturën në Preshevë, krahas shumë aktiviteteve të tjera,” – shprehet Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.
Ai përmend edhe disa nga organizimet më të rëndësishme të asaj kohe, të cilat, fatkeqësisht, nuk vazhduan më.
“Në pamundësi që ato të mbaheshin në Kosovë, për shkak të suprimimit të autonomisë nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1989, shumë veprimtari kulturore dhe festivale u zhvendosën në Preshevë pas vitit 1990. Festivali ‘Kosovarja Këndon’ më 1992, ‘Ditët e Komedisë Shqiptare’ më 1994, Festivali i Recitatorëve më 1995, Festivali i SHKASH po ashtu më 1995, si dhe Festivali Kombëtar i Komedisë. Të gjitha këto aktivitete kulturore mbarëkombëtare u shuan, përveç Festivalit Kombëtar të Komedisë, që vijon ende, ndonëse me shumë vështirësi, shpeshherë të justifikuara me mungesë fondesh apo arsye subjektive që nuk qëndrojnë,” – shton Salihu për PreshevaPRESS.
Në Luginën e Preshevës, kjo mungesë nuk është vetëm çështje infrastrukture. Ajo është pasojë e një harrese institucionale shumëvjeçare. Shtëpitë e kulturës, bibliotekat, teatri apo muzetë, për shumë të rinj janë vetëm emra të objekteve që rrallë shërbejnë për ndonjë aktivitet me vlerë — e zakonisht për ndonjë ngjarje promovuese apo politike.
Ky boshllëk i vazhdueshëm ka bërë që shumë të rinj të mos e ndiejnë kulturën si pjesë të përditshmërisë së tyre. Kur hapësirat ekzistojnë vetëm në letër, edhe interesi për t’u përfshirë në to zbehet natyrshëm.
Kalendari kulturor me të vetmën ngjarje në një vit
Sot, në Preshevë mund të numërohen vetëm tre institucione që ende mbajnë gjallë një formë të jetës kulturore: Shtëpia e Kulturës, Teatri i qytetit dhe Bibliotekat. Të gjitha këto institucione funksionojnë nën administrimin e pushtetit lokal dhe drejtohen nga individë të emëruar politikisht. Ato operojnë me staf të kufizuar dhe buxhete modeste, duke përmbushur misionin e tyre në kufijtë e mundësive reale.
Por a mjaftojnë këto përpjekje për të përmbushur nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve të sotëm?
Naser Nuredini, drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica”, thekson se të rinjtë janë shtylla e çdo shoqërie, prandaj edhe në fushën e kulturës, duhet të kenë gjithmonë vëmendje dhe përfshirje. Megjithatë, ai pranon se kjo përfshirje nuk varet vetëm nga dëshira apo qëllimi, por edhe nga kapacitetet reale që ka institucioni për të ofruar programe cilësore. Sfida kryesore? Mbështetja financiare.
“Shtëpia e Kulturës e zhvillon aktivitetin e saj në bazë të financimit nga buxheti komunal, mjete që caktohen çdo vit nga Kuvendi Komunal i Preshevës. Këto mjete, për fat të keq, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme dhe mbeten problemi kryesor për realizimin e objektivave tona,” – thotë ai.
Në një kohë kur shumica e aktiviteteve kulturore janë ndërprerë ose zhvillohen me ndërprerje, “Ditët e Komedisë Shqiptare” mbetet ngjarja e vetme që vazhdon të organizohet çdo vit, ruajtës i traditës dhe simbol i qëndrueshmërisë kulturore në një realitet sfidues.
“Ditët e Komedisë Shqiptare’ është aktiviteti më i madh që organizojmë – jo vetëm për nga kostoja, por edhe për nga vlera kulturore dhe pjesëmarrja e trupave teatrore nga mbarë trevat shqiptare. Ky festival u themelua në vitin 1994, në një periudhë shumë të vështirë për kulturën shqiptare në ish-Jugosllavi, dhe sot, pas 30 vitesh, e organizojmë me respekt dhe krenari,” – shton Nuredini.
Përveç këtij festivali, është paralajmëruar edhe rikthimi i festivalit të këngës për fëmijë “Gëzimi Ynë” – një ngjarje e dashur që dikur u ofronte skenë e ëndrra fëmijëve të Preshevës. Skënder Halimi, themelues dhe ideator i këtij festivali, rikujton se ai u organizua për herë të parë në vitin 2003, duke sjellë një frymë të re për fëmijët me pasion për muzikën. Megjithatë, mungesa e realizatorëve muzikorë e ndërpreu vazhdimësinë e tij.
Sot, pas viteve të mungesës, drejtuesit e Shtëpisë së Kulturës thonë se po punojnë për rikthimin e tij.
“Këtë vit e kemi përfshirë në programin e punës dhe, në varësi të ecurisë së punimeve në sallë, do të përpiqemi të realizojmë këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për fëmijët dhe artin muzikor,” – u shpreh drejtori.
Ndërkohë që institucionet planifikojnë rikthimin e aktiviteteve si “Gëzimi Ynë”, historia na kujton se arti nuk ka pasur gjithmonë mbështetje, por gjithmonë ka pasur njerëz që nuk janë ndalur.
Për të kuptuar më mirë ndryshimin e raportit të të rinjve me kulturën, mjafton të dëgjosh ata që krijuan art në kohët më të errëta. Kastriot Saqipi, një ndër figurat e njohura të teatrit në Preshevë, sjell një rrëfim që tregon se vullneti shpesh është më i fuqishëm se rrethanat.
“Të rinjtë e asaj kohe kishin një motivim të madh për të krijuar, edhe pse kushtet ishin jashtëzakonisht të vështira. Ata ishin të guximshëm, shpiknin mënyra kreative për të shprehur veten dhe për të mbrojtur identitetin dhe kulturën tonë. Kam qenë pjesë e një radioje ilegale, bashkë me Skënder Halimin dhe Enis Qemal Limanin, në vitet 1992–1995. Në një kohë kur çdo media ishte e ndaluar, e kur censura sundonte, ne ia dolëm të japim një zë për një popull të shtypur dhe të izoluar.”
Ai rikujton gjithashtu betejën për themelimin e teatrit profesional në Preshevë.
“Që nga dita e parë, me një grup artistësh të përkushtuar, kemi luftuar për të krijuar një teatër të mirëfilltë. Pas 14 vitesh përpjekjesh, arritëm ta themelojmë. Ishte një fitore historike për kulturën lokale. Megjithatë, edhe sot sfidat mbeten: numri i vogël i artistëve të punësuar e vështirëson krijimin e një repertori të rregullt mujor. Kjo e pengon teatrin të ndikojë më fuqishëm në jetën kulturore të qytetit.”
Dritë e vogël në mungesë të reflektorëve të skenës
Në një realitet të zymtë kulturor si ai i Preshevës, ku aktivitetet institucionale janë të pakta dhe mbështetja zyrtare minimale, vijnë disa rreze drite nga individë dhe grupe të vogla që nuk i janë nënshtruar heshtjes. Iniciativa që lindin nga pasioni për artin dhe nevoja për të krijuar hapësira ku të rinjtë mund të shprehin veten, po e mbajnë gjallë kulturën në këtë cep të harruar.
Nexhat Boriçi, përmes qendrës kulturore “CultCenter B”, ka krijuar një hapësirë të re për zhvillimin e artit dhe edukimin muzikor. Kursi i kitarës për fëmijët ka qenë ndër aktivitetet më të suksesshme të kësaj qendre, duke i dhënë zë pasioneve të reja në një vend ku mungojnë mundësitë.
“Artit i nevojitet hapësirë, liri dhe kushte për t’u shprehur plotësisht, megjithatë, ai mund të zhvillohet edhe në kushte modeste, nëse ka pasion dhe komunitet që e përkrah”, – shprehet Boriçi për PreshevaPRESS.
Megjithëse përballen me sfida të mëdha, si mungesa e fondeve dhe hapësirave të përshtatshme, vullneti i tyre për të mos ndalur aktivitetin është i palëkundur.
Një tjetër shembull i fuqishëm i angazhimit individual është Egzona Salihu, aktore dhe iniciatore e projektit “Teatri në Edukim”. Me këtë projekt, ajo ka sjellë shfaqje teatrore në 15 shkolla fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke i përfshirë fëmijët në lojën artistike dhe edukative.
“Ky projekt lindi nga nevoja e madhe që pashë te të rinjtë për të shprehur veten përmes artit. Shkollat në zonat rurale kishin mungesë të theksuar të aktiviteteve kulturore,” – thotë Egzona.
Mbështetja për projektin nuk erdhi nga institucionet lokale, por nga Ministria e Kulturës e Kosovës, një mbështetje që Egzona e cilëson jetike për realizimin e idesë.
Këto dy raste tregojnë se arti nuk ka nevojë vetëm për para, por për njerëz që besojnë në të. Megjithatë, mungesa e strukturave mbështetëse mbetet problematike. Këto iniciativa janë si dritëza që ndriçojnë errësirën, por pa përkrahje të vazhdueshme, rrezikojnë të shuhen.
Për të ndërtuar një jetë kulturore të qëndrueshme, është e domosdoshme që pushteti lokal të kalojë nga retorika në veprim, të njohë dhe të përkrahë këto përpjekje me fonde, hapësira dhe bashkëpunim.
Kur krijimtaria zëvendësohet me një celular
Një nga pasojat më të thella të mungesës së jetës kulturore është izolimi social, pamundësia për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme, për të shprehur veten dhe për të gjetur një vend ku të ndihesh pjesë.
Në qytete ku mundësitë janë të pakta, shumë të rinj ndihen të detyruar të largohen jo vetëm për arsye ekonomike, por për të kërkuar një vend ku mund të dëgjohen, ku krijimtaria të mos jetë luks, por pjesë e jetës së përditshme. Kështu, emigrimi bëhet jo vetëm rrugëdalje, por edhe shpëtim nga një realitet i ngushtë dhe i heshtur.
Ndërkohë, një tjetër realitet që po gërryen ngadalë energjinë e rinisë është varësia ndaj rrjeteve sociale. Në vend të hapësirave që nxisin lojën, kreativitetin dhe bashkëbisedimin, ata mësohen të heshtin, të mos bien në sy, të ndihen “të tepërt” nëse janë ndryshe.
Këtë gjendje e shpjegon edhe psikologia e shkollave të mesme në Preshevë, Amire Ahmedi, e cila për PreshevaPRESS tha se në ditët e sotme, rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, veçanërisht për të rinjtë. Ato shërbejnë si mjet komunikimi dhe argëtimi, por kur mungojnë hapësirat reale për shprehjen e kreativitetit, rrjetet sociale shndërrohen në një formë arratisjeje nga realiteti.
“Një nga pasojat më të thella është ndjenja e izolimit emocional dhe social, që lidhet me mungesën e përkatësisë, një nevojë bazike e njeriut. Kur të rinjtë nuk ndihen pjesë e një komuniteti aktiv, lind ndjenja e vetmisë, e cila i shtyn drejt botës virtuale si një formë kompensimi emocional. Në rrjetet sociale, ata përballen me një fluks të pandërprerë imazhesh të një jete ‘të përkryer’, çka i çon drejt krahasimit të pavetëdijshëm dhe ndjenjave të inferioritetit. Kjo sjell ulje të vetëvlerësimit dhe zhvillon një ndjenjë të thellë pamjaftueshmërie.” u shpreh Ahmedi.
Ajo tregon se në këtë klimë, rriten ankthi social, stresi, dhe në fund emigrimi si formë e izolimit fizik, që pason izolimin emocional dhe social.
“Mungesa e një ambienti që stimulon kreativitetin çon në apathi, një gjendje ku individi humb motivimin dhe dëshirën për të vepruar. Shumë të rinj në Preshevë raportojnë mungesën e ndjenjës së qëllimit, sepse nuk u jepet mundësia të ndërtojnë apo të marrin pjesë në jetën publike. Kjo lidhet me mungesën e vetë-aktualizimit, niveli më i lartë i zhvillimit njerëzor” tha ajo.
Në një qytet ku skenat janë bosh, bibliotekat heshtin dhe teatri pret zërat që mungojnë, rinia mbetet në pritje – të një mundësie, të një hapësire ku mund të dëgjohet, të shihet dhe të ndjehet pjesë. Mungesa e jetës kulturore nuk është vetëm boshllëk fizik, është boshllëk shpirtëror. Dhe nëse nuk veprojmë, rrezikojmë të humbasim një brez të tërë që mund të kishte qenë shtylla e së ardhmes, por që po ikën pa u ndjerë ndonjëherë i përfshirë.