Ish-këshilltari i Alternativës për Ndryshim (APN), Altin Boriçi, ka reaguar ashpër ndaj udhëheqjes aktuale të Komunës së Preshevës, duke e akuzuar se është larguar nga realiteti lokal dhe është përfshirë në aktivitete partiake jashtë komunës.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Boriçi ka thënë se “është koha të zbrisni nga skena e tubimeve të Vetëvendosjes e VLEN-it dhe të ecni rrugëve të qytetit ku keni marrë përgjegjësi”. Ai ka kërkuar që komuna të dalë nga roli i “palës” politike dhe të rifitojë rolin e “përfaqësuesit” të qytetarëve.
“Komuna urgjentisht duhet të dalë nga roli i ‘palës’ dhe të rifitojë rolin e ‘përfaqësuesit’, sepse bashkëpunimi duhet të vijë në formë institucionale, jo në formë fushate elektorale,” ka shkruar Boriçi.
Ai ka theksuar se pushteti lokal duhet të jetë çdo ditë në përballje me institucionet e shtetit serb për çështjen e pasivizimeve dhe diskriminimeve të vazhdueshme, e jo të merret me fushata në Kosovë e Maqedoni.
“Shteti serb neve nuk po na njeh si qytetarë të dorës së parë, e për ironi të fatit nuk po na njeh as pushteti lokal që sillen sikur nuk jetojnë këtu. Përderisa ne kemi hallin e mbijetesës, ata kanë hallin e tubimeve në Shkup e Prishtinë,” ka shtuar ai.
Në përfundim të reagimit, Boriçi ka theksuar se institucionet lokale duhet të fokusohen në nevojat reale të qytetarëve të Preshevës
“Nuk e keni luksin si institucion të merreni me fushatat e Kosovës e Maqedonisë, sepse keni shumë punë në Preshevë. Ju jeni zgjedhur për të ruajtur njerëzit e këtij vendi, jo për të ndërtuar karrierat e disa politikanëve në rajon.” përfundon reagimi i Boriçit në Facebook.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur përfaqësues të pushtetit lokal janë parë të marrin pjesë në disa tubime politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, çka ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik të Preshevës.