Aziri: Serbia e spastroi etnikisht Medvegjën, radhën e kanë Bujanoci e Presheva / Video

Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH), Naser Aziri, në një intervistë në “Info Magazine” të Klan Kosovës, ka kërkuar një qasje më të bashkuar të subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës për çështjet që, sipas tij, prekin interesat e përbashkëta të shqiptarëve.


Duke folur në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, Aziri tha se bashkëpunimi ndërmjet partive politike shqiptare do të mundësonte një pozitë më të fuqishme për shqiptarët dhe do të rriste mundësinë për përfitime në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror.

“Mendoj se bashkimi i partive politike për çështje të caktuara duhet të bëhet sipas interesave të përbashkëta. Nuk duhet të ketë ambicie të ngushta lokale apo politike, por duhet të veprohet në aspektin më të gjerë, në interes të shqiptarëve”, tha Aziri.

Sipas tij, dallimet politike nuk duhet të jenë pengesë kur bëhet fjalë për çështje me interes të përbashkët për shqiptarët.

“Unë nuk dua të hyj në çështje të brendshme apo në korrigjime politike, por mendoj se, kur bëhet fjalë për interesa të mëdha shqiptare, duhet të bashkohen”, është thelbi i qëndrimit të shprehur nga Aziri në intervistë.

Aziri kritikon përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë

Një pjesë e deklaratës së Azirit iu kushtua përfaqësimit të shqiptarëve në Policinë e Serbisë.

Ai tha se përfaqësimi i shqiptarëve në polici mbetet i ulët, duke theksuar veçanërisht situatën në Preshevë dhe Bujanoc. Sipas tij, kjo çështje kërkon përgjegjësi dhe reagim institucional nga përfaqësuesit politikë shqiptarë.

“Mendoj se mungon një përgjigje institucionale. Do të duhej të kishte një reagim më të fuqishëm institucional, qoftë nga Kuvendi Komunal i Preshevës, nga ai i Bujanocit apo nga të tri kuvendet komunale shqiptare. Duhet të ketë një reagim konkret”, shtoi ai.

Aziri kritikoi gjithashtu mungesën e një reagimi të përbashkët të institucioneve lokale shqiptare, duke vlerësuar se për çështje të tilla nuk mjaftojnë vetëm deklaratat individuale apo reagimet në rrjetet sociale.

“Reagimet në Facebook janë më tepër formale, vetëm për konsum politik. Për një deklaratë të tillë do të duhej të kishte një reagim shumë më të qartë dhe më të fuqishëm. Ka qenë vërtet një deklaratë shqetësuese, e cila ka bërë që shqiptarët të ndihen të pasigurt”, deklaroi Aziri.

Ai kërkoi që kuvendet dhe institucionet komunale shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të kenë një qasje më të koordinuar për çështjet që prekin komunitetin shqiptar.

Sipas Azirit, reagimet në rrjetet sociale shpesh mbeten në nivel formal dhe nuk shoqërohen me veprime konkrete institucionale.

Ai tha se për çështje që konsiderohen të rëndësishme për shqiptarët në Luginë nevojitet një reagim më i fuqishëm dhe i koordinuar nga institucionet lokale dhe subjektet politike shqiptare.

Në këtë kontekst, Aziri foli edhe për deklarata të zyrtarëve të lartë të Serbisë lidhur me shqiptarët dhe luftën në Kosovë, duke i cilësuar disa prej tyre si shqetësuese dhe me ndikim në ndjenjën e sigurisë së shqiptarëve në Luginë.

Pasivizimi i adresave, një nga problemet kryesore të shqiptarëve në Luginë

Aziri tha se kjo çështje është veçanërisht shqetësuese në Medvegjë, ndërsa theksoi se rastet e pasivizimit të adresave po rriten çdo ditë edhe në Preshevë e Bujanoc.

Sipas tij, përballë këtij fenomeni duhet të ketë dokumentim dhe evidentim të rasteve përmes shkresave, dokumenteve zyrtare dhe verifikimeve institucionale, e jo përmes deklaratave dhe reagimeve në rrjetet sociale.

“Pasivizimi i adresave është problem edhe në Komunën e Preshevës. Megjithatë, përmes shkresave, dokumenteve zyrtare dhe verifikimeve të ndryshme, duhet të dokumentohet çdo rast i pasivizimit”, deklaroi ai.

Ai e lidhi pasivizimin e adresave me rrezikun e zvogëlimit të pranisë së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kërkoi që çështja të trajtohet në mënyrë më serioze nga institucionet dhe përfaqësuesit politikë shqiptarë.

Aziri bën thirrje për unifikim politik të partive shqiptare në Luginë

Sipas tij, në situatën kur Serbinë e presin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duhet të ketë koordinim më të madh dhe një qasje të përbashkët për çështjet që prekin interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke sugjeruar një përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të partive politike shqiptare në një listë të përbashkët dhe të vetme shqiptare në këto zgjedhje.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Këshilli Komunal i Preshevës zhvillon mbledhjen e XI-të, në fokus bashkësitë lokale dhe buxheti

PreshevaPRESS

Shukri Ymeri emërohet drejtor i shkollës fillore në Raincë

PreshevaPRESS

Diskutim publik në Preshevë për migrimin: Sfidat dhe mundësitë për komunitetin lokal

PreshevaPRESS