Më 6 dhe 7 shkurt, në Tiranë, me pjesëmarrjen e kirurgëve dhe delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, u mbajt takimi themelues i Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve (KPSHK), një nismë e rëndësishme profesionale që synon forcimin e bashkëpunimit mbarëshqiptar në fushën e kirurgjisë.
KPSHK do të shërbejë si platformë koordinuese dhe bashkëpunuese ndërmjet profesionistëve të kirurgjisë, me mision avancimin e praktikës dhe shkencës kirurgjikale, përcaktimin e standardeve të trajnimit, si dhe garantimin e kujdesit kirurgjikal modern, të sigurt dhe të bazuar në prova shkencore.
Ceremonia e hapjes u drejtua nga Prof. Dr. Arben Beqiri, kryesues mikpritës i Këshillit Themelues, ndërsa fjalën prezantuese e mbajti Prof. Dr. Rifat Latifi, kryesues i këtij këshilli. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të lartë institucionalë dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët përshëndetën themelimin e Kolegjit si një hap strategjik për zhvillimin e shëndetësisë shqiptare.
Një rëndësi e veçantë në këtë nismë ka edhe përfshirja e kirurgut të njohur nga Presheva, Dr. Beqir Nuhiu, i cili është pjesë e Këshillit Themelues të KPSHK-së, duke përfaqësuar kështu edhe Luginën e Preshevës në këtë strukturë prestigjioze profesionale. Angazhimi i Dr. Nuhiut vlerësohet si kontribut i rëndësishëm jo vetëm për komunitetin mjekësor, por edhe si përfaqësim dinjitoz i profesionistëve shqiptarë nga Presheva në nivel mbarëkombëtar.
Përveç Dr. Beqir Nuhiut, Këshilli Themelues përbëhet nga kirurgë dhe profesorë eminentë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora shqiptare në Evropë dhe SHBA, çka i jep Kolegjit një karakter gjithëpërfshirës dhe ndërkombëtar.
Në përmbyllje të takimit, Prof. Dr. Rifat Latifi lexoi Rezolutën e Themelimit të KPSHK-së, e cila u miratua unanimisht nga delegatët. Sipas rezolutës, Kolegji do të funksionojë si entitet profesional i pavarur, me fokus në edukimin e vazhdueshëm, praktikën etike dhe llogaridhënien profesionale.
Në fazën e ardhshme, strukturat e përkohshme të Kolegjit do të përgatisin statutin dhe dokumentacionin themelues, ndërsa pas miratimit të tyre nga kuvendi i delegatëve, do të zgjidhen organet drejtuese me mandat të plotë.