Takimi mes Antonijeviqit dhe Mitroviqit: Dialogu me shqiptarët, është zgjidhja e vetme

Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, Milan Antonijeviq, u takua me përfaqësuesit e Shërbimit të Trupit Koordinues për jugun e Serbisë, drejtorin në detyrë Nenad Mitroviq dhe zëvendësen e tij Jelena Çolliq.


Në fokus të bisedimeve ishte pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe procesi i integrimit të tyre institucional e shoqëror.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe në rrjetet sociale të Komisionerit, gjatë takimit u trajtuan çështje konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve në Luginë.

Temat përfshinë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, sfidat në fushën e arsimit, problemin e pasivizimit të adresave, si dhe nevojën për mbështetje më të fuqishme institucionale për komunitetet lokale.

Antonijeviq kishte theksuar më herët se Rezoluta e paraqitur në Këshillin për politikë të jashtme të Kongresit Amerikan lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në Serbi, duhet të shërbejë si sinjal për intensifikimin e dialogut dhe për demonstrimin e përparimit konkret nga ana e Serbisë në këtë drejtim.

Në komunikatën zyrtare thuhet se theks i veçantë iu kushtua integrimit të popullsisë dhe rritjes së pranisë së institucioneve në terren. Komisioneri njoftoi se në periudhën e ardhshme do të vizitojë Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe do të punojë në forcimin e bashkëpunimit me aktorët lokalë.

“Dialogu është hapi i parë drejt ndërtimit të besimit”, theksohet në njoftim, duke nënvizuar se përfshirja aktive dhe komunikimi i drejtpërdrejtë mbeten çelësi për adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët e Luginës në Serbi.

Related posts

Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e adresave në Luginë

Pajaziti: Përfundojnë punimet për rregullimin e tualeteve në administratën komunale

Presheva vazhdon të kryesojë listën e qyteteve me pagën më të ulët në Serbi