Të dhënat më të fundit për pagat e muajit shtator 2025 vetëm sa e konfirmojnë realitetin e rëndë ekonomik me të cilin përballen komunat shqiptare në jug të Serbisë.
Sipas statistikave zyrtare, në Bujanoc paga mesatare neto ka arritur në 79,351 dinarë, një rritje modeste prej rreth 1,600 dinarësh krahasuar me muajin paraprak.
Por pavarësisht kësaj rritjeje të lehtë, shifra mbetet dukshëm më e ulët se mesatarja republikane, e cila në shtator ka qenë 109,147 dinarë. Hendeku prej gati 30 mijë dinarësh e rendit Bujanocin ndër komunat me pagat më të ulëta brenda rrethit të Pçinjës.
Situata është edhe më alarmante në Preshevë. Me një pagë mesatare prej vetëm 74,164 dinarësh, komuna shqiptare regjistron pagën më të ulët në të gjithë Serbinë.
Ky pozicionim në fund të listës, e konfirmon edhe një herë pabarazinë e theksuar ekonomike me të cilën përballet Presheva, e cila vazhdon të mbetet ndër zonat më pak të zhvilluara në vend.
Në të njëjtën kohë, mesatarja e pagave në rrethin e Pçinjës ka arritur në 84,792 dinarë, një vlerë që gjithashtu mbetet ndjeshëm nën nivelin e mesatares republikane.
Dallimet janë të qarta dhe trendi është shqetësues: Presheva dhe Bujanoci po mbeten vazhdimisht prapa pjesës tjetër të vendit, ndërsa hendeku ekonomik po thellohet çdo muaj. Këto shifra ngrenë alarmin për nevojën e politikave të synuara zhvillimore dhe investimeve që do të mundësonin një standard më të denjë jetese për qytetarët e këtyre komunave.