Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, Ragmi Destani, ka paraqitur dorëheqjen gjatë mbledhjes së rregullt të këtij këshilli, duke i dhënë fund një periudhe prej 28 vitesh në këtë detyrë të rëndësishme fetare.
Destani ka qenë në krye të imamit të Këshillit që nga viti 1997, duke u bërë një nga figurat më të qëndrueshme dhe më me përvojë në jetën fetare të komunës së Bujanocit. Në njoftimin e tij, ai shprehet se dorëheqjen e ka dhënë për shkak të pakënaqësive me gjendjen aktuale në Këshill, si dhe arsyeve të tjera të cilat i ka adresuar në mënyrë të detajuar te kryetari i institucionit.
“E lus Zotin që gjithë atë që ma ka mundësuar me e bërë, të ma ketë pranuar në llogarinë e veprave të mira. Kurse i kërkoj falje Zotit për gjithë atë që nuk kam mundur ta bëj, ose kam gabuar gjatë kësaj periudhe.” ka shkruar Destani në njoftimin e bërë publik.
Me këtë, Destani ka përcjellë mirënjohje dhe reflektim për shërbimin e tij shumëvjeçar, duke përmbyllur njoftimin me selam për komunitetin.
Nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc ende nuk ka një qëndrim zyrtar pas dorëheqjes së Kryeimamit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen të ditura procedurat për caktimin e pasuesit të tij.