Ka përfunduar procesi vlerësues i projekteve të mediave në konkursin e KKSH-së

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka përfunduar procesin e vlerësimit të projekteve të mediave të Luginës së Preshevës, të cilat kanë aplikuar për mbështetje financiare nga Fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.


Totali i fondeve të ndara këtë vit arrin në 150 mijë euro, të cilat synojnë përkrahjen e informimit dhe zhvillimin e mediave lokale.

Anëtari i komisionit vlerësues, Alban Selimi, njoftoi se procesi është përmbyllur gjatë fundjavës, duke theksuar profesionalizmin dhe transparencën në shqyrtimin e aplikimeve.

“Prioritet iu është dhënë projekteve me qëllime të sinqerta, të dokumentuara mirë dhe të realizueshme,” shkroi Selimi në njoftimin e tij, duke shtuar se vendimmarrja është bazuar plotësisht në meritë dhe pa ndikime politike apo personale.

Komisioni vlerësues ka qenë në përbërje të tre anëtarëve: Alban Selimi, Hasan Hasani dhe Faruk Daliu, ndërsa procesi është mbështetur nga Komisioni për verifikimin e dokumentacionit, ku bënin pjesë Driton Bilalli dhe Alban Alili. Po ashtu, monitoruesit Zgjim Hasani, Selman Bektashi dhe Ardian Aliu janë vlerësuar për angazhimin e tyre korrekt.

Selimi bëri të ditur se disa aplikime janë përjashtuar për shkelje të ndryshme procedurale. “OJQ-të që nuk kanë qenë korrekte në raportimin financiar, ato që kanë përfunduar në gjykata me Këshillin, si dhe OJQ ose grupe që kishin përfituar nga Ministria për Pakicat në Serbi dhe tentonin të përfitonin edhe nga buxheti i Kosovës, nuk janë marrë parasysh,” theksoi ai.

Një tjetër projekt është rrëzuar për përdorimin e termit “Metohi” në tekstin e aplikimit, një formulim që Selimi e cilësoi të papranueshëm për institucionet e Kosovës.

Në përmbyllje, ai u shpreh se synimi është që mbështetja financiare të shkojë tek projektet më të dobishme për komunitetin shqiptar në Luginë: “Shpresoj që në të ardhmen buxheti të rritet dhe të shkojë tek ata që e meritojnë vërtet.”

Sipas Selimit, rezultatet e vlerësimit pritet të publikohen së shpejti nga sekretariati i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në vazhdim ju sjellim njoftimin e plotë të Selimit të publikuar në profilin e tij në Facebook: 

Këtë vikend përfunduam vlerësimin e projekteve të mediave të Luginës, që aplikuan për mbështetje financiare në Këshillin Kombëtar Shqiptar, i cili ka ndarë grante me vlerë totale 150 mijë euro, të ndara nga Republika e Kosovës.  

Falenderoj KKSH-në për besimin dhe mundësinë për të kontribuar në këtë proces kaq të rëndësishëm.  

Si komision, bashkë me anëtarët Hasan Hasanin dhe Faruk Daliun, të dy gazetarë me përvojë të gjatë, kemi ndjekur parime të qarta dhe të pandryshueshme: prioritet iu është dhënë projekteve me qëllime të sinqerta, të dokumentuara mirë dhe të realizueshme. Vendimmarrja jonë jemi përpjekur të jetë e drejtë, transparente dhe mbi bazën e meritës, pa lënë hapësirë për ndikime politike, lidhje familjare apo perceptime individuale që mund të cenonin objektivitetin.  

Një ndihmë e madhe na është dhënë nga Komisioni për verifikimin e dokumentacionit, në përbërje të Driton Bilallit dhe Alban Alilit.  

Monitoruesit Zgjim Hasani, Selman Bektashi dhe Ardian Aliu treguan një qasje të admirueshme; në krye të detyrës, me përgjegjësi dhe korrektësi të plotë.

Do theksuar se OJQ-të që nuk kanë qenë korrekte në raportimin financiar, ato që kanë përfunduar në gjykata me Këshillin, si dhe OJQ ose grupe që kishin përfituar nga Ministria për Pakicat në Serbi (duke anashkaluar Këshillin) dhe tentonin të përfitonin edhe nga buxheti i Kosovës, nuk janë marrë parasysh.  

Po ashtu, është rrëzuar një projekt, që Kosovës, në citat i referohej me termin “Metohi”. 

Shpresoj që në të ardhmen buxheti të rritet dhe të shkojë tek ata që e meritojnë vërtet, për të mundësuar projekte të dobishme, të qëndrueshme dhe në shërbim të komunitetit tonë.  

Vlerësimet sigurisht se do të publikohen shpejt nga sekretariati i KKSh-së. 

Faleminderit të gjithëve për besimin dhe bashkëpunimin!

Related posts

Nga pasivizimi i adresave te gjuha shqipe, çfarë përfshinë projektligji amerikan për shqiptarët e Luginës

Avni Hafuzi emërohet Nënkryetar Nderi i Ligës Ndërkombëtare të Paqebërësve

Departamenti Amerikan i Shtetit do të trajtojë shkallën e diskriminimit të shqiptarëve në Serbi