Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, lidhur me një çështje që ai e ka cilësuar si “pengesë sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve” në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Bislimit, rreth 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, në bazë të kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Ai theksoi se qeveria ka përmbushur në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.
Megjithatë, sipas tij, pagesa prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi, pa asnjë arsye ligjore apo teknike.
“Pra, ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë,” – ka deklaruar Bislimi.
Ai ka shtuar se një qasje e ngjashme është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për subvencionet bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore ishin përfunduar.
Sipas Bislimit, këto nuk janë raste të izoluara, por tregues të një modeli të strukturuar të pengesave administrative. Ai theksoi se institucionet e Kosovës i kanë dorëzuar Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare, përfshirë komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe vendimet qeveritare.
Në fund, zëvendëskryeministri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, por nuk mund të qëndrojë indiferente “kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.”