Ardita Sinani në teren pas vërshimeve, kritikon pushtetin e kaluar

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar sot përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit në Preshevë, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi për qytetarët në disa zona të qytetit.


Ajo ka theksuar se përmbytjet e fundit kanë nxjerrë në pah, sipas saj, pasojat e investimeve të realizuara nga qeverisja e mëparshme në nivel lokal, duke i cilësuar ato si projekte pa planifikim të mirëfilltë dhe pa zgjidhje afatgjata. Sinani ka vlerësuar se mungesa e një sistemi të qëndrueshëm për kanalizimin atmosferik po reflektohet sa herë ka reshje intensive.

“Në terren me ekipin tim për të inspektuar pikat kritike ku vërshimet po vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo, duke bërë të ditur se institucionet komunale janë të angazhuara drejtpërdrejt në menaxhimin e situatës.

Si një nga rastet konkrete, ajo ka përmendur Rrugën e Karposhit, për të cilën ka deklaruar se miliona euro të investuara nga pushteti i kaluar sot gjenden nën ujë. Sipas saj, projekti i prezantuar dikur si sukses ka rezultuar pa zgjidhje të qëndrueshme për kanalizimin e ujërave atmosferike, duke e cilësuar këtë si një mangësi serioze në planifikim dhe zbatim.

Kryetarja ka ngritur gjithashtu shqetësimin për, siç e ka quajtur ajo, papërgjegjësinë qytetare. Sipas saj, një pjesë e bllokimeve në kanalizime dhe përrenj po shkaktohet nga hedhja e mbeturinave, çka po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës gjatë reshjeve.

Në reagimin e saj bëhet e ditur se ekipet e Ndërmarrjes “Moravica” dhe Njësisë së Zjarrfikësve janë të angazhuara maksimalisht në terren, duke punuar për pastrimin e kanaleve të bllokuara, sanimin e dëmeve të menjëhershme dhe eliminimin e çdo rreziku për banorët.

Në fund, Sinani ka theksuar se mbetet e përkushtuar për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, duke shtuar se institucioni që ajo udhëheq është në shërbim të plotë të qytetarëve në çdo situatë dhe në çdo kohë.

Related posts

Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e adresave në Luginë

Pajaziti: Përfundojnë punimet për rregullimin e tualeteve në administratën komunale

Presheva vazhdon të kryesojë listën e qyteteve me pagën më të ulët në Serbi