Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka paralajmëruar se pas përfundimit të autostradës së Gjilanit, do të vazhdojnë me projektin në drejtim të Luginës së Preshevës. Derisa për projektin Prishtinë-Pejë, Aliu thotë se ka ndryshuar nga ai fillestar, pasi ka qenë me devijime të shumta.
Aliu, në një konferencë për media, tha kyçja nga Prishtina përmes Gjilanit, në Dheun e Bardh dhe në korridorin 10 përmes Bujanocit, është prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës.
“Sa i përket autostradës në Gjilan jemi duke punuar me intensitet të shtuar këtë vit. Mendoj që gjatë këtij viti do të arrijmë bukur shumë, nuk po dua të premtoj që do ta përfundojmë këtë vit, projektin e kemi që mbase që vitin tjetër të përfundoj por përpjekjet jemi duke i bërë që sa më shpejt ta realizojmë. Sa i përket pjesës së segmentit deri te Dheu i Bardh. Me të arritur përfundimin e pjesës së autostradës deri në Gjilan, do të vazhdojmë menjëherë me fillimin e projektit dhe analizën për të filluar me procedura të shpronësimit dhe me realizim të projektit deri te Dheu i Bardh. Kyçja nga Prishtina përmes Gjilanit, në Dheun e Bardh dhe në korridorin 10 përmes Bujanocit, është prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës”, tha ai.
Ai tha se po vazhdon procedura e prokurimit për projektin Prishtinë-Pejë dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.
“Për ankesat e qytetarëve zyrën e kemi hapur, do t’i shqyrtojmë një për një ato kërkesa. Përndryshe projekti Prishtinë-Pejë ka ndryshuar nga ai fillestar që ka qenë. Ai fillestar ka qenë me devijime të shumta, jemi munduar maksimalisht që ato devijime t’i kthejmë në trasen ekzistuese“, tha ai.
Aliu është pyetur edhe për çështjen e menaxhimit të mbeturinave.
“Tash jemi në fazat e rëndësishme të zgjerimit të deponive sepse deponitë, gjendjen të cilat i kemi janë gati para kolapsit të plotë. Kemi filluar projektin për zgjerimin e deponive për të gjitha regjionet dhe jemi në fazën e realizimit për fillimin e fizibilitetit për dy pjesë të rëndësishme për menaxhimin e mbeturinave, që është ekonomia qarokre e që nënkupton ndarjen e mbeturinave, respektivisht qendrat e ndarjes për të gjitha regjionet dhe tjetra është trajtimi e ndërtimit i mbeturinave të riciklueshme, bashkë me dy projekte që përcillen që janë mbeturinat e rrezikshme dhe mbeturinat nga fusha e ndërtimit”, tha ai.
Sipas tij, vërshimet treguan se deponitë ilegale gjithandej në vend janë shumë prezentë.
“Mbase nuk arrijmë ta pastrojmë Kosovën për një mandat. Pra gjendja është jashtëzakonisht e rënd, vërshimet treguan se deponitë ilegale gjithandej në vend janë shumë prezente, gjendja është jashtëzakonisht e rëndë, e tillë ka qenë. Pra te ne nuk ka trajtim të mbeturinave në mënyrën e duhur, nuk ka riciklim të tyre. Përmbi 90 përqind të tyre deponohen dhe fatkeqësisht një pjesë jashtëzakonisht e madhe deponohen jashtë deponive regjionale. Kjo është gjendja për të cilën jemi duke u marrë seriozisht”, tha ai.
Në fund, Aliu tha se punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Babimic, kanë nisur, megjithatë nuk dha detaje se si do të vazhdojnë./KosovaPRESS