Agjencitë e inteligjencës perëndimore thuhet se kanë zbuluar deri në 15 anëtarë të agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse, GRU.
Një grup oficerësh elitarë të inteligjencës ushtarake ruse, përfshirë disa prej atyre që planifikuan helmimin e një “disidenti” në Britani, kanë funksionuar nga fshatrat piktoreske në Alpet Franceze, kanë thënë zyrtarë të inteligjencës perëndimore për NBC News
Duke konfirmuar një raport në të përditshmen franceze “Le Monde”, zyrtarët kanë thënë që agjencitë e inteligjencës evropiane dhe amerikane kishin ndjekur deri në 15 anëtarë të agjencisë ruse të zbulimit ushtarak të njohur si GRU, të cilët kishte jetuar për një kohë në Francë.
Le Monde publikoi ata që thanë se ishin emrat e oficerëve, disa prej të cilëve ishin publikuar tashmë nga Bellingcat, një grup hetimor me burime të hapura.
Le Monde gjithashtu raportoi se në mesin e rusëve që qëndruan në departamentin e Francës Haute-Savoie në Alpe ishin Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov – emrat e dyshuar të të dyve agjentëve të GRU të akuzuar për kryerjen e sulmit në Skripal.
Zyrtarët francezë i thanë gazetës se e konsideronin zonën të ishte baza mbështetëse e njësisë për operacione të fshehta në Evropë.
“Është mirë që partnerët tanë evropianë po e marrin seriozisht kërcënimin rus”, ka thënë Marc Polymeropoulos, një ish oficer i lartë i CIA-s me ekspertizë në Evropë dhe Rusi.
“Rusia sillet në kohë si një regjim i jashtëligjshëm, duke u përpjekur të vrasë disidentë jashtë vendit dhe të nxisë trazira në demokracitë evropiane. Ajo sfidon përpjekjet e vazhdueshme të shërbimeve evropiane të sigurisë që punojnë së bashku për të luftuar këtë kërcënim”.
Ndryshe, kujton NBC News, së fundmi Gjermania dëboi dy diplomatët rusë pasi autoritetet ncorën përfundimin se agjentët rusë orkestruan një vrasje të stilit të ekzekutimit në Berlin të një qytetari 40-vjeçar ruso-gjeorgjian, i cili është konsideruar si terrorist nga Moska.
Viktima kishte luftuar me një njësi gjeorgjiane që mbronte Osetinë e Jugut gjatë luftës Gjeorgji-Rusi në vitin 2008, thanë prokurorët gjermanë në një deklaratë.
Ndërkohë, autoritetet britanike thonë se agjentët rusë përdorën një agjent nervor në mars të vitit 2018 për të helmuar një ish-spiun rus, Sergei Skripal. Edhe vajza e tij ishte goditur. Që të dy janë rikuperuar.
Në këtë drejtim, autoritetet britanike akuzuan oficerët rusë të GRU të cilët përdorën pseudonimet Petrov dhe Boshirov për tentim vrasje, komplot dhe posedim të një agjenti nervor për sulmin ndaj Skripal.
Përveç Skripalëve, agjenti nervor dëmtoi tre të tjerët që ranë në kontakt me të. Njëri prej tyre, Dawn Sturgess, vdiq.
Megjithatë, Rusia ka mohuar përfshirjen në helmim, dhe zyrtarët rusë i kanë quajtur pretendimet propagandë.
Siç vë në pah tutje NBC News, duke pasur parasysh kufijtë e hapur të Evropës, operativët rusë nuk kanë shumë problem të futen dhe të ndërmarrin operacione spiunimi, thonë zyrtarët e inteligjencës.
Ajo që bie në sy në zbulimet në lidhje me bazën e Alpeve është se autoritetet franceze vendosën t’i bënin informacionet publike, shkruan ky medium.
Gjithashtu, siç thuhet më tej, FBI po gjurmon sa më shumë se 200 operativë rusë në Shtetet e Bashkuara, thonë ish-zyrtarë dhe ata aktualë.
Por disa kalojnë pa u vënë re, siç u demonstrua nga aktakuzat e këshilltarit special Robert Mueller duke akuzuar rusët se përdorën propagandën e mediave sociale për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.
Aktakuza thoshte që disa prej të pandehurve udhëtuan në SHBA nën pretendime të rreme “për qëllime të mbledhjes së inteligjencës”. Por skema e tyre nuk u zbulua deri shumë më vonë.