PreshevaPRESS

NBA, Lakers e nis sezonin me humbje, rikthehet Kevin Durant

Foto, skuadra e Brooklyn Nets pas fitores me Golden State, Twitter.

Kampionët e basketbollit amerikan (NBA) Los Angeles Lakers e nisën me humbje sezonin e ri, ndërkohë që në ndeshjen tjetër ylli Kevin Durant iu rikthye parketit pas një viti e gjysmë i lënduar.


Në ndeshjen e luajtur të martën mbrëma përballë rivalëve të Los Angeles Clippers ata humbën me shifrat 116-109.

Për Clippers spikatën Paul George dhe Kawhi Leonard me një total prej 59 pikësh, të cilët zbehën totalisht performancën e të ashtuquajturit “Mbreti”, LeBron James. Ky me Lakersat realizoi vetëm 22 pikë, 5 zotërime nën tabelë dhe po kaq asiste.

Për kampionët në fuqi nisja ishte e vështirë pasi që në periodën e parë e panë veten në disavantazh prej 20 pikësh. Ata u munduan të rikuperonin në periodën e dytë, por Clippers reagoi duke nxjerrë një tjetër periodë të fortë duke e zgjeruar më tej avantazhin, avantazh që në fund u mbajt në kuotën e 7 pikëve.

Parlelisht në New York, Brooklyn Nets dërrmoi me një fitore 125-99 Golden State Warriors-in. Për vendasit, që e nisën ndeshjen mbarë me një avantazh prej 15 pikësh që në periodën e parë, domethënës ishte rikthimi në parket i Kevin Durant.

Basketbollisti 32-vjeçar u largua nga Golden State Warriors verën e vitit 2019 duke nënshkruar me Nets një kontratë të majme prej 164 milionë dollarësh për katër vite, mirëpo ai e humbi sezonin e shkuar për shkak të një lëndimi në tendinat e këmbës.

Sidoqoftë lëndimi duket se është tejkaluar dhe kjo u pa në parket ku Durant realizoi 22 pikë kundër ish-skuadrës së tij.

Për Golden State, Stephen Curry u mundua të japë diçka më shumë duke realizuar një “double-double” me 20 pikë dhe 10 asiste, mirëpo kjo nuk mjaftoi.

Këto ishin ndeshjet e para të NBA-it, që rikthehet me disa muaj vonesë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Përpara ndeshjeve basketbollistët e Lakers-ave u shfaqën në parket me unazat e kampionëve, të cilat paraqisnin një gjarpër mamba, kjo si simbolikë e ish-basketbollistit Kobe Bryant, i cili u nda nga jeta në fillim të vitit 2020.

ARTIKUJT E NGJASHËM

LA Lakers të pandalshëm me dyshen James e Davis, vijon spektakli edhe për Luca Doncic të Dallas

PreshevaPRESS

FIBA e vazhdon bashkëpunimin me FBK-në

PreshevaPRESS

Durant refuzon pagë vjetore 31 milionë euro, dëshiron një aventurë të re në basketboll

PreshevaPRESS