PreshevaPRESS

RRITEN PRITSHMËRITË E LUGINASVE PAS FITORES SË VETËVENDOSJES

Republika e Kosovës të dielën, përveç festës së Shën Valentinit, këtë 14 shkurt organizoi zgjedhjet parlamentare të tetat pas çlirimit të saj. Edhe pse në garë ishin 28 subjekte, gara kryesore zhvillohej mes tri subjekteve kryesore politike.


Pas një fushate parazgjedhore përplot sondazhe e parashikime, pjesëmarrja rekorde e qytetarëve prej 47% në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë nxori fituese Lëvizjen Vetëvendosje me rreth 48% të votave të numëruara deri më tani.

Edhe pse partitë politike në Luginë shpesh herë kanë mbajtur anë në zgjedhjet e Kosovës, kësaj here shumica e udhëheqësve të subjekteve në Preshevë pohojnë se rezultati i zgjedhjeve ka qenë i pritur.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherë deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi,  thotë se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një fitore e madhe për Kosovën, duke dëshmuar edhe një herë që Kosova ka kapacitete për ta zhvilluar vetveten në drejtim të ndërtimit të një shteti ligjor dhe shteti të së drejtës.

“Në përgjithësi ishte një fitore e pritur nga të gjithë, përveç se ishin diskutabile diferencat me të cilat do të fitonte Lëvizja Vetëvendosje, këto zgjedhje janë një fitore e përgjithshme për Kosovën. Kalimi i tyre në mënyrë të qetë, pranimi i rezultatit të zgjedhjeve nga të gjitha partitë tjera pjesëmarrëse është një pjesë e rëndësishme e procesit të demokracisë dhe demokratizimit në tërësi të institucioneve në Kosovë” shprehet Kamberi për PreshevaPRESS, derisa flet për ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Njëjtë sikurse Kamberi, edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, thotë se Lugina e Preshevës zgjedhjet në Kosovë i ka përcjellur me një kujdes të veçantë, pasi që sytë e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, janë të kthyer kah Prishtina dhe Tirana zyrtare.

“Për këtë vullnet të popullit të shprehur në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, sidomos shqiptarëve që mbështetën Lëvizjen Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, ne në këtë rast i urojmë më të mirat e funksionimit të pushtetit qendror të Republikës së Kosovës, duke shpresuar që Albin Kurti do të vazhdojë të i kthejë sytë kah Lugina e Preshevës, sepse janë vendbanimet Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë  që duan zgjidhje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe nga ajo e Shqipërisë.” është shprehur Mustafa për PreshevaPRESS.

Sami Salihu, kryetari i Lëvizjes për Reforma, i cili së fundmi publikisht është paraqitur si një përkrahës i politikave të Albin Kurtit, fitoren e Vetëvendosjes e quan një rekord të ri, beson se me fitoren e thellë të Kurtit edhe Lugina e Preshevës i ka rritur pritshmërinë nga qeveria Kurti 2.

“Normalisht që deri më tani, qeveritë pararendëse mundë të them me bindje të plotë që nuk është se kanë treguar një gatishmëri dhe një vëmendje të veçantë, qoftë në deklarim, qoftë në veprim. Ne kemi një përvojë me qeverinë Kurti 1 gjatë kohës së pandemisë, kur pati gatishmërinë të na ndihmojë me një ndihmë që ishte sa do modeste, por thyente rekordet e mëparshme të qeverive të mëparshme që kryesisht ndihmonin Luginën e Preshevës. Unë them që Kurti ka qenë një opozitar i thekun, e njeh mirë problematikën e Luginës, i njeh mirë se  cilat do të jenë prioritetet e qeverisë së tij, dhe jam i bindur shpresëplotë që Luginën e Preshevës nuk do ta anashkalojë.” shprehet Salihu.

Të njëjtin mendim me Salihu ka edhe Armend Aliu, udhëheqësi i grupimit më të ri politik në Preshevë, Alternativa Demokratike Shqiptare.

“Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ajo që është ndoshta edhe më e rëndësishmja nga i gjithë ky proces  zgjedhor në Republikën e Kosovës, është që kaloi një fushatë zgjedhore relativisht të qetë, por edhe një proces tejet demokratik dhe pa parregullsi zgjedhore. Kjo  na bën të ndihemi shumë krenar dhe me shpresë. Ndërsa fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, pra e zotit Kurti, ishte e pritshme për ne këtu, edhe në një mënyre i ka ngritur edhe pritshmëritë e tona si shqiptar të Luginës së Preshevës.” ka deklaruar Aliu për PreshevaPRESS.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës viteve të fundit kanë kthyer sytë kah Kosova, duke përcjellur me vëmendje zhvillimet në kuadër të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë. Sikurse shqiptarët po ashtu edhe udhëheqësit politik në Preshevë presin që qeveria Kurti 2 do të punojë me përkushtim në zgjidhjen përfundimtare të pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës si pjesë të pandashme të bisedimeve.

“Tash ky plemisit i cili po shihet se ne tërësi në Kosovë iu ka dhënë zotit Kurti dhe Vetëvendosjes, do ti fuqizoje pozitat e tij,  edhe ne raport me Serbinë, dhe këtu është një rast i mirë që zoti Kurti dhe në tërësi partitë opozitare qe do ta mbështesin këtë dialog, do te kenë një nder prioritetet kryesore  Luginën e Preshevës, dhe trajtimin e temave te Luginës se Preshevës, te drejtave  te shqiptareve ne dialog me Serbinë, ne frymën e ndërtimit te një raporti, apo te një procesi te reciprocitetit ne respektimin e te drejtave. Ajo qe ne kërkojmë është ndërtimi i standardeve unike te respektimit të të drejtave te komuniteteve ne Ballkan, duke tejkaluar situatën ne kuadër te se cilës ne Ballkanin perëndimore kemi një pakice te privilegjuar, siç është pakica serbe sidomos ne Veri dhe ne pjesët tjera te Kosovës, e cila ka te drejtat e garantuara me gjitha standardet e brendshme ne Kosove, dhe kemi pakicat e tjera ne rajon, apo ne Serbi te cilëve i mohohen edhe te drejtat elementare edhe te drejtat kushtetuese.” ka thënë Kamberi.

Përkundër faktit që kanë qëndrime të ndryshme rreth idesë për korrigjimin e kufijve, Mustafa beson se me mbështetjen absolute të SHBA-ve, qeverisja e udhëhequr nga Kurti do të jetë e suksesshme në sigurimin e një pozite më të mirë të shqiptarëve të Luginës me përmbylljen e dialogut Kosovë – Serbi.

“Duke qenë se SHBA kanë një qëndrim dhe një mbështetje për RKS, dhe në këtë proces pa dyshim edhe Albin Kurti në cilësinë e kryeministrit të Kosovës nga nesër, do të jetë i suksesshëm nën mbështetjen absolute te SHBA, në mënyrë që në të gjithë ketë dialog të përmbyllet dhe me një pozicion më të mirë të shqiptarëve të Luginës, dhe në këtë fushë presim  fillimisht mbështetjen e SHBA për Luginën e Preshevës, madje edhe të vet kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti përfundon Mustafa.

E kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu, shpreson që qeveria e Kurtit gjatë bisedimeve do të sigurojë kërkesën e shqiptarëve dhe politikanëve të Luginës.

“Sa i përket  çështjes së Luginës së Preshevës se cila do të jetë përfitimi, unë mendoj që zoti Kurti ka qenë nismëtari i iniciativës së reciprocitetit, ide kjo që shqiptarët e Luginës, por konkretisht edhe spektri politik kanë kërkuar. Kurti ka qene ai që e ka goditur më së shumti këtë pikë dhe jam i bindur që në bisedimet me Serbinë, ai do të vendose çështjen e reciprocitetit në raport edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kështu që mbetemi shpresëplotë që gjërat do të ecin mirë.” shprehet Salihu.

Derisa Aliu përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë – Serbi e sheh si mundësi për të siguruar stabilitet të raporteve mes këtyre dy shteteve.

“Ne kemi insistuar ne mënyrë te pandërprerë qe Lugina e Preshevës është një karte e cila ne bisedimet mes RKS dhe RS ne Bruksel, duhet te përdoret për stabilizim te raporteve mes këtyre dy shteteve. Andaj unë jam i bindur qe qeveria Kurti ne bisedimet e radhës mes këtyre dy shteteve do te përdorë për te fuqizuar vet ne dialog por njëkohësisht edhe për te i realizuar te drejtat tona si shqiptare ne Lugine te Preshevës.” shprehet Aliu.

Sikurse që nuk dimë mendimin dhe pritjet e kryetarit të Komunës së Preshevës pasi refuzoi të deklarohet për mediumin tonë, gjithashtu mbetet të shihet se a do të plotësohen pritshmëritë e udhëheqësve të partive politike në Preshevë, nga ana e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, me apo pa Albin Kurtin kryeministër.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Austria pezullon vaksinën AstraZeneca pas një rasti vdekjeje

PreshevaPRESS

KA FILLUAR FUSHATA SENSIBILIZUESE PËR RRITJEN E SIGURISË NË KOMUNIKACION

PreshevaPRESS

Italia bllokon eksportin e 250 mijë vaksinave drejt Australisë

PreshevaPRESS

Epopeja e UÇK-së, përkujtohet 23-vjetori i sakrificës së familjes Jashari

PreshevaPRESS

Tërmetet tronditin Greqinë, shemben shtëpi e shkolla, mijëra banorë kalojnë natën jashtë / Foto

PreshevaPRESS

29 VITE NGA REFERENDUMI I 1 DHE 2 MARSIT TË ORGANIZUAR NË LUGINË

PreshevaPRESS

Diplomacia me vaksina çon Vuçiqin në Sarajevë

PreshevaPRESS

BRENDA 5 VITEVE ZGJEDHJET LOKALE NË PRESHEVË ORGANIZOHEN PËR TË TRETËN HERË

PreshevaPRESS

FILLON APLIKIMI PËR PAKETËN E TRETË TË NDIHMËS PËR EKONOMI NË SERBI

PreshevaPRESS

SERBIA PRANË MBYLLJES TOTALE, KON: ORA POLICORE E VETMJA ALTERNATIVË

PreshevaPRESS