PreshevaPRESS

Hoti në takim me përfaqësues politik të Luginës foli për bashkimin kombëtar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka nënshkruar programin e punës për vitin 2021 të Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës.


Programi i cili është hartuar nga Zyra për Luginën e Preshevës e cila funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës, parasheh disa pika kryesore të punës gjatë vitit 2021, përfshirë edhe një organizim për mbështetje financiare për shqiptarët që jetojnë në shtetin serb.

Avdullah Hoti theksoi se gjatë këtij viti do të ketë një takim midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për të forcuar edhe më tej mbështetjen për shqiptarët atje, e gjithashtu brenda vitit “do të finalizohet projekti për dërgimin e teksteve shkollore për shqiptarët në Luginën e Preshevës”.

“Në shkurt do të vijojmë me përgatitjen e një studimi të veçantë nga ekspertë lidhur me gjendjen sociale dhe ekonomike në Luginë të Preshevës i cili studim do të nxjerrë në pah gjendjen në të cilën jetojnë shqiptarët në Luginë krahasuar me komuna tjera në Serbi, për të faktuar në mënyrë shkencore gjendjen në arsim, shëndetësi, punësim dhe çdo shërbim social që kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Bazuar në këtë dokument do të fillojmë një aktivitet të fuqishëm sensibilizues dhe lobues tek partnerët tanë ndërkombëtarë në veçanti në Washington dhe disa vende të BE-së”, tha Hoti.

Në fund të vitit, sipas Hotit, parashihet një konferencë e madhe e donatorëve pasi të jetë faktuar gjendja socio-ekonomike e shqiptarëve të Luginës për të mbështetur “projekte arsimore, shëndetësore, projekte në mbështetje të sektorit privat”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, duke folur në emër të përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës, tha se shqiptarët atje janë duke u përballur me një situatë të vështirë socio-ekonomike dhe një diskriminim strukturor të imponuar nga institucionet e Serbisë.

Mustafa thotë se pret që programi i nënshkruar të zbatohet dhe me të “t’i jepet përgjigje sfidave të reja dhe sfidave të vjetra me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Përfaqësuesit e partive politike nga Lugina e Preshevës thonë se presin që zyra për Luginën e Preshevës në kuadër të Qeverisë së Kosovës të funksionalizohet sa më shpejtë të jetë e mundur,  raporton AA.

Por, sa i përket bashkimit të kësaj pjese me Kosovën, e cila është në territorin e Serbisë, Hoti nuk komentoi, por tha se “besojmë fuqishëm që duke e forcuar shtetin e Kosovës ju ndihmojmë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përmes aktiviteteve konkrete”.

Lugina e Preshevës si tërësi shtrihet në një territor prej mbi 1 mijë kilometra katrorë në Serbi, në të cilin jeton një popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100 mijë banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80 për qind të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit.

ARTIKUJT E NGJASHËM

SHQIPËRIA E FUNDIT NË LISTËN E LUFTIMIT TË LAJMEVE TË RREME

PreshevaPRESS

Reeker jep lajmin: SHBA’ja do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

PreshevaPRESS

Qëndrimet e fuqive botërore rreth asaj se si duhet zgjidhur problemi Kosovë-Serbi

PreshevaPRESS