PreshevaPRESS

Prokuroria e Specializuar arreston Jakup Krasniqin – pritet transferimi i tij në Hagë

Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione se përse është duke u kryer operacion në shtëpinë e tyre. Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftuan të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.


Sipas Sevdije Krasniqit, operacioni ka filluar në orën 5:30.

“Nuk na kanë ofruar kurrfarë dokumenti. Kështu që, nuk e dimë se cili është qëllimi ose arsyeja e ardhjes në shtëpinë tonë”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur se a është në dijeni nëse do të arrestohet Krasniqi, i cili gjendet në shtëpinë e tij, ajo tha se ende nuk di asgjë dhe nuk e di arsyen e bastisjes.

Ndryshe, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), porse detaje të tjera lidhur me këto operacione do të jepen më vonë.

Sipas informacioneve nga terreni, një operacion është duke u zhvilluar edhe në vendlindjen e Krasniqit, në fshatin Negroc të Komunës së Drenasit.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke theksuar se, “Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.

“Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

TË NGJASHME

Vetëm 24% e komunitetit serb në Serbi pajtohen që Presidenti i Serbisë mundet me qenë shqiptar

PreshevaPRESS

Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në Kosovë

PreshevaPRESS

Marrëveshja Kosovë-Serbi: Borrell flet rreth propozimit për shkëmbim të territoreve

PreshevaPRESS

PreshevaPRESS përdor shtojca për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë