PreshevaPRESS

Rexhepi për Euronews: Shqiptarët e Luginës e kanë mirëpritur marrëveshjen e SHBA për faktin se Serbia zotohet për njohjen e diplomave universitare

EURONEWS ALBANIA Intervistë me Baki Rexhepin – Pedagog në Universitetin AAB


  • Si  është komentuar në Serbi dhe në mediet e atjeshme , përgjithësisht, marrëveshja Kosovë – Serbi e arritur në Shtëpinë e Bardhë?

Opinioni në Serbi në përgjithësi e ka prit marrëveshja Kosovë – Serbi të arritur në Shtëpinë e Bardhë, me një interesim të jashtëzakonshëm, nisur nga fakti se mediet këtu i kanë dhënë një hapësirë të jashtëzakonshme duke e trajtuar si ngjarjen kryesore të kësaj periudhe e sigurisht nuk do të e teprojmë nëse themi edhe si ngjarje të shekullit. 

Kjo mbase për Serbinë e sidomos për lidershipin e saj , Kosova, pa dyshim është litar në qafë  dhe sa do që shtrëngohet situata rreth saj ajo shkon drejt asfiksimit dhe në të kundërtën po qe se më herët lirohet nga Kosova në kuptimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që I ka, do të mund t`I hapet perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian por edhe  në organizatat tjera politiko – ushtarake, ekonomike  ndërkombëtare që do të ndikonte dukshëm për forcimin e pozicionit të saj të padefinuar deri më tani.

  • Mendoni se Serbia do t`I përmbahet marrëveshjes në Uashington, duke pas parasysh se me Kosovën ka arritur edhe më parë marrëveshje të ndryshme, por jo të gjitha janë zbatuar?

Ndryshe nga deri më tani,  Serbia i ka firmosur dhjetëra marrëveshje me Kosovën, por pa pranin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këta të fundit nuk  kanë qenë asnjëherë nikoçir e aq më pak hartues të ndonjë marrëveshje. Deri më tani  këto marrëveshje i ka bërë Bashkimi Europian i cili fatkeqësisht sidomos viteve të fundit u përball me kriza shumë të mëdha politike dhe ekonomike e madje pati edhe largime nga ky Union. Që mendoj se roli i Bashkimit Europian në raport me vatrat e krizës e sidomos me çështje Kosovë – Serbi, ishte jashtëzakonisht i zbehtë, gjë që Serbia e shfrytëzoi për të lidh aleanca me shtete të caktuara të BE-së që nuk e kanë njohur deri më tani Republikën e Kosovës  e madje edhe për të kërcënuar ndërmjetësit evropian me Rusinë, duke u pozicionuar edhe me BE edhe me Rusinë. 

Dhe në këtë situatë Serbia kishte hapësirë të mjaftueshme që të vente në  përdorim  të ashtuquajturën filozofi të KETMANIT e cila është një filozofi praktike e kamuflimit, e lindjes e  veçantë që lejon mbijetesën për të mbet gjallë dhe për të vazhduar luftën kur të piqen kushtet – pra lejon një lloj të caktuar të prezantimit të rrejshëm.

Ky mendoj që ishte edhe momenti i fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shfrytëzuan për të realizuar një prerje politike dhe një ndikim të Rusisë në këtë pjesë të Ballkanit Jug Perëndimorë. Tani Serbia duke e ndjerë dorën e fort amerikane dhe duke e pa dobiprurëse një marrëveshje si kjo që u arrit në Uashington mendoj se nuk do të mund t` i shmanget mos zbatimit të asaj që ka dhënë firmën para njeriut më të fuqishëm në botë. Edhe po qe se do të ndryshoj  pozicioni i zotit Tramp në SHBA pas zgjedhjeve, mendoj se Serbia nuk do të përdor më tej filozofinë Ketman, përkundrazi përpjekjet e saj të fundit drejt formimit të Qeverisë së re, të paktën nga ajo që po lexojmë në medie, emrat që përfliten të bartin përgjegjësitë institucionale  asociojnë  në atë se  Serbia po tenton të ndjek një strategji të partneritetit më të afërt  me SHBA-të, gjë që deri më tani nuk ka qenë shumë e theksuar. Pra përmes partneritetit e jo armiqësisë me SHBA-në  të realizojë qëllimet e saja, parasëgjithash  ekonomike, mandej si shtet i fuqishëm ekonomik edhe synimet politike.

  • Cili është pozicioni i opozitës serbe sa i përket kësaj marrëveshjeje dhe dialogut me Kosovën në përgjithësi?

Emërues i përbashkët i vlerësimit të marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë nga partitë opozitare serbe është se kjo marrëveshje është në kundërshtim me interesat strategjik të Serbisë.  

Partitë e krahut ultranacionalist mendojnë se kjo marrëveshje është gjysmëfinalja nënshtruese e njohjes së Kosovës, ata mendojnë se marrëveshja ka shkel rezolutën 1244 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila kishte paraparë që Kosova të prezantohej me fusnotë dhe tani në marrëveshje fusnota nuk ekziston. Madje këto parti mendojnë se është shkelur edhe rezoluta 478 e cila i fton shtetet anëtare të OKB-së të tërheqin ambasadat e tyre nga Jerusalmi, ndërkohë që Vuçiq ka marrë obligime që me 1 korri 2021 të vendos ambasadën në Jerusalem.

Krahu demokrat ndërkohë deklaron se marrëveshja nuk mund të vlerësohet e volitshme dhe se ajo në vend të zgjidhjes bartë në vete probleme të reja. Sipas tyre pavarësisht se sa i fortë është roli i Presidentit të Republikës në sistemin politik serb sepse ai bazohet në legjitimitetin demokratik, nuk duhet të anashkalojmë normën kushtetuese sipas së cilës Qeveria e Republikës së Serbisë është përgjegjëse për udhëheqjen dhe përcaktimin e politikës së vendit, jo Presidenti”. Dhe këtu ata mendojnë se prioritet është përmbushja e Kushtetutës e cila parasheh kthimin e Kosovës në sovranitetin serb e jo siç thonë opozitarët demokrat serb fuqizimin ekonomik.

Brenda opozitës ka të tillë që mendojnë se marrëveshja e Uashingtonit Serbin e fut në konflikt me gjysmën e botës, duke pas për bazë marrëveshjet ekonomike dhe ato që kanë të bëjnë me interesat e drejtpërdrejta të Kinës dhe Rusisë dhe shteteve arabe me të cilat tashmë Serbia ka  arrit të konsolidoj marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

  •  Në marrëveshje Kosova e Serbia zotohen  se nuk do të lejojnë  kompaninë kineze Huawei të operoj me rritjen e saj 5G në këto dy vende. Megjithatë, duket se kjo nuk e ka ndalur Qeverinë serbe të vazhdoj bashkëpunimin me Kompaninë Kineze? A është një mesazh i Qeverisë së Serbisë drejtuar Uashingtonit apo është thjeshtë një përfitim ekonomik, nga i cili Serbia nuk dëshiron të heqë dorë?

Zyrtarët serb duke e komentuar këtë pikë të marrëveshjes thonë se, Serbia dhe Kosova “do të ndalojnë përdorimin e rrjetit 5G brenda infrastrukturës së rrjetit të saj, i cili është blerë nga klientë jo të besueshëm.”  Ndaj këtu gjendet justifikimi për vazhdimin e kontratave me kompaninë kineze. Ajo që do të duhej ditur është se Huaëei nuk bashkëpunon vetëm me Telekom Srbija, por ka disa aspekte të bashkëpunimit me Telenor. Sidoqoftë, gjëja më interesante do të jetë vëzhgimi i mënyrës së mëtejshme të bashkëpunimit midis Telekom Srbija dhe Huawei, sepse Telekom është pronë e shtetit dhe përmes Telekom, politika e jashtme e Serbisë do të pasqyrohet më së miri.

Ndërkohë unë besoj se për Serbinë ka rëndësi të madhe prezenca e Di Ef SI Amerikane Korporatës për Zhvillim Financiar e cila tashmë ka premtuar një paket prej disa miliardësh investimesh në Serbi dhe këtu pastaj Serbia e sheh momentin e përfitimit për fuqizim ekonomik e pas saj sigurisht ka pretendime për fuqizim edhe politik si shtet i fort në rajon.

  • Si shihet marrëveshja e Uashingtonit në Luginë të Preshevës, në nj zonë ku shumica e popullatës janë shqiptarë?

Shqiptarët në Luginë të Preshevës e kanë mirëprit këtë marrëveshje për faktin se një pikë e saj lidhet direkt me interesat e rinisë shqiptare që jeton në këtë zonë e të cilës Serbia ia ka mohuar të drejtën e njohjes së diplomave universitare. Ndaj zbatimi i kësaj marrëveshje është më se i mirëseardhur sidomos për rininë ashtu që më në fund Serbia ti njoh zyrtarisht diplomat e saja dhe që të mund të gjejen vende pune me ato diploma në këtë rajon dhe që mos të detyrohen të largohen nga këto vatra. Së fundi si pasoj e mos njohjes së diplomave rinia është larguar me të madhe nga Lugina dhe kjo marrëveshje mund të jetë një fillim i fundit të largimit të rinisë dhe hapjes së perspektivave për punësim edhe në të ashtuquajturin Minishengen i cili pritet të jetësohet konform kësaj marrëveshjeje e ku të drejt profesionistët do të mund të kenë në tërë rajonin Ballkanit Jugperëndimorë.

TË NGJASHME

Themelohet Zyra për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës

PreshevaPRESS

Nasim Haradinaj e konfirmon se Hysni Gucati po arrestohet nga EULEX-i

PreshevaPRESS

Tjetër tërmet lëkund Shqipërinë / Foto

PreshevaPRESS

PreshevaPRESS përdor cookies për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë