PreshevaPRESS

Konformizmi i artistëve ndaj së kaluarës socialiste

Shumë artistë propagandonin të mirat e socializmit gjatë periudhës jugosllave. Përderisa disa e besonin me të vërtetë, kjo propagandë promovohej para së gjithash nga regjimi, që financoi qindra disqe muzikore për lavdinë e tij. Në korrik, një ekspozitë në Zagreb gjurmoi dhe shfaqi historinë e këtyre disqeve muzikore “revolucionar dhe patriotik”. Intervistë.


I lindur  më 1972, Zhelko Lluketiq është një kritik, gazetar dhe kurator i ekspozitave të specializuara në muzikën dhe kinemanë jugosllave. Student i doktoratës në Departamentin e Letërsisë, Filmologjisë, Kulturës dhe Arteve Skenike të Fakultetit Filozofik në Zagreb, ai e inicoi organizimin jofitimprurës të arkivimit dhe studimeve audiovizuale ‘Jučer Danas Sutra’ (Dje Sot Nesër), si dhe themeloi labelin ‘Fox&His Friends’ kushtuar ribotimit në vinil, të gjërave të rralla muzikore nga ish-Jugosllavia. Lluketiq është kurator i ekspozitës “Grafizmi utilitar i socializmit të kënduar më 1947-1990”, kushtuar dizenjimit të kopertinave vinile të “muzikës revolucionare dhe patriotike” të Jugosllavisë socialiste, të organizuar nga 14 deri më 24 Korrik në galerinë e Shoqatës së Grafistëve të Kroacisë (HDD) në Zagreb.

– Si u zhvillua lidhja midis muzikës dhe politikës në Jugosllavi nga 1947 në 1990? A ishte e qëndrueshme diskografia “revolucionare dhe patriotike”?

Zhelko Lluketiq:  Sponsori më i madh ishte shteti, me institucionet dhe strukturat e tij të ndryshme. Kjo varionte nga vetë Partia Komuniste, e cila xhironte disqe për kongreset e saj, e deri te organizatat rinore dhe kulturore, pa i harruar administratat komunale, të ngarkuara me vendet përkujtimore, të cilat mund t’i përdorin ato për përkujtimet e tyre. Por disqe të tjera ishin vepra spontane, të prodhuara nga muzikantët e frymëzuar sinqerisht nga ideja e një identiteti supranacional jugosllav. Disa të tjerë edhe kishin ndonjë interes ekonomik për t’iu bashkuar kësaj mode. Në të vërtetë, disa nga këto këngë bëheshin hite dhe shiteshin shumë. Mund të themi se kjo lëvizje muzikore revolucionare dhe patriotike ishte një simbiozë teorikisht e suksesshme e politikës, muzikës dhe propagandës.

Periudha e mbuluar nga ekspozita shkon nga 1947, vit ky i krijimit të ‘Jugoton’, kompania e parë dhe më e madhe diskografike jugosllave, e deri më 1990, vit i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe i daljes së « Ustanak i more » (Kryengritja dhe deti), përmbledhje e këngëve më të mira nga programi eponim i Festivalit të varietetit të Splitit kushtuar muzikës revolucionare dhe patriotike.

Nga 1990, disqet braktisin kodet vizuele të socializmit, që do të thotë emblemat, kokardat dhe monumentet e revolucionit dhe të rinisë së lumtur në punishtet, duke i zëvëndësuar ato me peisazhe të Splitit që gjasonin me karta postare.

Në vitet 1960, Jugoton shtypte deri në dhjetë million vinile në vit. Labele të tjera u krijuan përgjatë viteve dhe ky numër nuk ka ndaluar së rrituri. Por disqet revolucionare dhe patriotike nuk firmoheshin nga producentët zyrtarë.  Partneri im, ligjëruesi universitar Leri Ahel dhe unë grumbulluam 1000 disqe të muzikës revolucionare, 200 prej të cilave i kemi shfaqur në kuadër të ekspozitës.

– Si e inkurajonte shteti prodhimin e kësaj muzike propagandistike? Dhe si po monitorohej apo edhe censurohej muzika dhe modeli i kopertinës?

ZH.LL: Duke i financuar koncertet dhe kompozimin, duke organizuar festivale të specializuara, por edhe indirekt duke i përjashtuar artistët nga e famshmja « taksa mbi kiçin », të vendosur  më 1971. Të gjitha disqet me “vlerë të jashtëzakonshme muzikore” liroheshin automatikisht prej saj, ndërsa taksoheshin shumë muzikat që vlerësoheshin nga komisionet kulturore, se i nënshtroheshin shijes së ulët të masave. Ato kushtonin dy herë më shtrenjtë dhe rrjedhimisht, ato ishte një investim i rrezikshëm për producentët. Sa për kopertinat, kompanitë diskografike i refuzonin rrallëherë. Vetëm disa kopertina u refuzuan në historinë e diskografisë jugosllave, si p.sh : versionet e modifikuara ose ato të Bijello Dugme (grupi pop-rock i Goran Bregoviqit, shënim i redaktorit) që nuk u shtypën kurrë.

Viktima e parë e kësaj takse ishte Jugo, moja Jugo (1971) e këngëtares Silvana Armenuliq, një mishërim i neo-folkut që këndohej për disa vjet në kafana (kafehanet e njohura burleske). Kopertina me gjoksin shumë të ekspozuar të këngëtares nuk përputhej aspak me vizionin e partisë, që e pretendonte promovimin e muzikës cilësore. Nga ana tjetër, muzika tradicionale tolerohej, si shprehje e muzikës autentike popullore. Një seri e tërë e këtyre këngëtarëve i këndonin revolucionit, Titos dhe dashurisë së tyre për federatën socialiste, të veshur me rroba tradicionale të popujve të ndryshëm jugosllav.

Në përgjithësi, militantizmi propagandistik titist përpiqej ta kufizonte ndikimin kulturor të ‘kapitalizmit të kalbur’, por i censuronte rrallëherë prodhimet muzikore. Ky sistem “fleksibël”, i paklasifikueshëm, që gjindej në muzikë, kinematografi, dizajn dhe disiplina të tjera kulturore, nuk ishte aq i ngurtë sa ai prapa Perdes së Hekurt, por ishte sistem i veçantë, herë lejues, herë vetëmohues, por edhe i hapur ndaj ndikimeve.

Komisionet e ndryshme shtetërore kishin disa rregulla të shenjta. Për shembull, shoku Tito duhej të paraqitej në kopertinën e çdo kopertine të këngëve për nderë të tij ose pjesë nga fjalimet e tij. Komisionet siguronin që përfaqësimi i Tito-s të ishte klasik dhe figurativ, sa më pak eksperimental. Numri i disqeve dhe i porosive muzikore nga organet politike u rrit pas Pranverës Kroate të vitit 1971. Ideja ishte të afroheshin produktet muzikore me audiencën më të re pop-rock. U relaksuan rregullat ndaj të cilave nënshtroheshin muzika dhe dizajni, para se të zhdukeshin krejtësisht pas vdekjes së Tito-s, kur mbrëmjet me muzikë revolucionare dhe patriotike u bën pjesë e festivaleve të estradës si ‘Zagrebfest’ ose Festivali i Varieteteve në Split.

– Shumë yje të famshëm jugosllavë, si Gjorgje Ballasheviq ose Zdravko Çolliq për shembull, prodhuan këngë në këtë regjistër. Si e pozicionojnë veten këta artistë sot në lidhje me këto episode të karrierës së tyre?

ZH.LL: Disa e bënin vetë, të tjerët ftoheshin në festivale. Festivalet transmetoheshin në televizion dhe këngëtarët bëheshin shumë të popullarizuar. Në një vend me 25 milion banorë dhe me vetëm dy kanale televizive, kjo nënkuptonte një shikueshmëri të jashtëzakonshme për interpretuesit. Nga ana tjetër, gjatë shërbimit të tyre ushtarak, muzikantët lejoheshin të bënin muzikë, në vend se të mbanin kujdestari natën dhe të pastronin armët. Për shembull, në kopertinën e ‘Tri put sam video Tita’ (Unë pashë Titon tre herë) nga grupi i tij ‘Rani mraz’, Gjorgje Ballasheviq pozon me uniformë ushtarake pranë një busti të Tito-s. Kishte artistë si ai që i besuan sinqerisht idesë së Jugosllavisë dhe kishte të tjerë prej cilëve pritej të jepnin kontribute të tilla.

Kompozitorët që kam intervistuar së fundmi thonë se askush nuk i ka detyruar ata. Për shembull, ‘Korni grupa’ e Kornelije Kovaç regjistroi albumin konceptual të rokut progresiv ‘1941’ me vokalistët Josipa Llisac dhe Dado Topiq, një projekt i edituar nga RTB e TV Beogradit, ndërsa ‘Alfi Kabiljo’ u ftua nga TV Zagrebi për ta regjistruar këngën e serialit ‘Nepokoreni grad’. Për këta artistë, kjo ishte një mundësi për të punuar në kushte të shkëlqyera dhe për ta pasur produksionin më të mirë të mundshëm.

Megjithatë ka disa artistë që sot e mohojnë këtë të kaluar ose përpiqen ta fshijnë nga biografitë e tyre, qoftë për shkak se tani i përkasin kampit kundërshtar politik, qoftë për shkak se pretendojnë se ishin të detyruar të vepronin në atë mënyrë. Sidoqoftë, në vend se të përpiqemi ta fshehim ose ta mohojmë këtë të kaluareje, sigurisht se do të ishte më mirë ta debatojmë hapur.

– A nxiti ekspozita juaj reagime negative?

ZH.LL: Jemi befasuar më së shumti me jehonat pozitive, mbulimin mediatik, interesimin dhe reagimet e publikut. Ndodhi vetëm një incident, kur gjatë montazhit të ekspozitës, një i panjohur hyri në galeri duke bërtitur: “Tito, kriminel!”. Iku po aq shpejt sa hyri. Pastaj duhet kuptuar se ekspozita nuk ka të bëjë me Titon dhe Partinë. Ajo nuk është as ndonjë projekt jugonostalgjik, por thjesht një shpërfaqje e marrëdhënies historike midis muzikës, propagandës dhe dizajnit.

– Pse artistët në Kroaci kanë frikë t’i fërkojnë supet me të kaluarën e tyre socialiste jugosllave? Dhe si e shihni faktin që shumë prej këtyre kopertinave përfunduan në plehra pas luftërave të viteve ‘90?

ZH.LL: Të gjitha prodhimet kulturore dhe artistike, pavarësisht kontekstit nga vijnë, duhet të ruhen dhe studiohen. Neveritem kur i shoh sot të shkatërruara, por mbase është çështje psikologjike. Këtë heshtje domethënëse, të cilën ju e interpretoni si frikë, unë e shoh më shumë si konformizëm. Leri Ahel dhe unë gjurmuam në tregjet e sendeve të vjetra dhe bodrumet me pluhur, për të shpëtuar disa nga disqet që i ekspozuam. Prej se e themeluam ‘Jučer Danas Sutra’, njerëzit na japin edhe koleksionet e tyre private ose gjërat që donin të hidhnin, sepse e dijnë që ne do t’i ruajmë, restaurojmë, digjitalizojmë dhe zbulojmë për publikun. /LeMondeDiplomatique neshqi

TË NGJASHME

Mirëdita, Dobar dan: Një festival që shqetëson rinin djathtiste në Beograd

PreshevaPRESS

Në Preshevë publikohet numri i tretë i revistës për fëmijë dhe të rinj “Shpresa”

PreshevaPRESS

Në Beograd këtë vit realizohet edicioni i shtatë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”

PreshevaPRESS

PreshevaPRESS përdor shtojca për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë