PreshevaPRESS

GJYKATA PËR KUNDËRVAJTJE NË BUJANOC KA NGRITUR PADI KUNDËR RAGMI MUSTAFËS

Gjykata për kundërvajtje në Bujanoc ka ngritur padi lundër Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.


Lajmin e ka bërë tê ditur vet Mustafa përmes një postimi në facebook, përmes të cilit këtë padi e ka cilësuar si padi politike.

“Sot, pranova ftesë nga Gjykata në Bujanoc, si i paditur në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2019.” ka njoftuar Mustafa në profilin e tij në facebook.

Siç ka shkruar Mustafa në rrjetin social facebook, ai këtë padi e sheh direkt të ndërlidhur dhe si përgjigje në padinë e ngritur nga vet Mustafa kundër Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksander Vullin.

“Kjo ftesë shfaqet pas shmangies së ballafaqimit të Ministrit Mbrojtjes Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vullin me padinë e ngritur nga unë, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese kundrejt shqiptarëve.” shkruan Mustafa në njoftimin për ftesën qëka pranuar sot.

Në vazhdim ju sjellim postimin e plotë të Mustafës në facebook: 

PADIA POLITIKE NDAJ MEJE PËR FLAMURIN, ME LIGJ DISKRIMINUES KUNDËR-KUSHTETUES. LIGJI I SHTYPJES DO TË NDRYSHOJË, JO FLAMURI I BARAZISË!

Sot, pranova ftesë nga Gjykata në Bujanoc, si i paditur në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2019.

Kjo ftesë shfaqet pas shmangies së ballafaqimit të Ministrit Mbrojtjes Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vullin me padinë e ngritur nga unë, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese kundrejt shqiptarëve.

Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor e prokurorial, duket megjithatë e çuditshme se si po përputhen këto dy raste, së paku në kuptimin kalendarik.

Padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës është e motivuar politikisht. Ajo bazohet nën pretendimin e shkeljes së nenit 41 të Ligjit për shfaqjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, që parasheh denim nga 50.000 deri në 500.000 dinarë.

Kot e keni. Ju edhe mund edhe të më dënoni, por nuk mund të më të zbrapseni nga beteja për drejtësi!

Shfrytëzoj rastin të rikujtoj se Kushtetuta e Republikës së Serbisë, kapitulli “E drejta për të ruajtur tiparet e veçanta”, përkatësisht Neni 79 thekson se “Pjesëtarët e pakicave kombëtare kanë të drejtë të: shprehin, ruajnë, kultivojnë, zhvillojnë dhe shprehin publikisht veçoritë kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare; për përdorimin e simboleve të tyre në vendet publike; të përdorin gjuhën dhe shkrimin e tyre…”

Pra, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe gërmat e Kushtetutës së Serbisë. Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektoj Kushtetutën e saj dhe të filloj demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta pëputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me i përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit, nuk do të mundet as ky.

Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët!

Ky ligj është flamur i shtypjes! Ky flamur është ligj i barazisë!

Prandaj ligji do të ndryshojë, jo flamuri!

Në lidhje me ftesën e Mustafës në Gjykatën për kundërvajtje në Bujanoc, menjëherë ka reaguar deputeti popullor Shaip Kamberi, njëherit edhe kryetar i PVD-së.

Ai në reagimin e tij ka thënë se kjo padi përveç që është politike është plotësisht e pakuptimt.

Në vazhdim reagimin e deputetit Kamberi në lidhje me ngritjen e padisë për kundërvajtje ndaj Mustafës:

Padia edhe mund të ngritet, gjoba mbase edhe mund të shqiptohet, por, flamuri nuk do të ndryshojë.

Ftesa e sotme e Gjykatës në Bujanoc, drejtuar kryetarit të Këshillit kombëtar shqiptar, Ragmi Mustafa, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2019, përveç që është krejtësisht politike është edhe e pakuptimt.

Angazhimi i Ragmisë në sigurimin e teksteve shkollore dhe sukseset e Këshillit nën udhëheqjen e tij, si duket, po i pengojnë strukturave të caktuara shtetërore.

Megjithatë, vendosmëria për të realizuar të drejtat e shqiptarëve dhe përmbushja e premtimeve e obligimeve të mara nga populli e për popullin, nuk do të mund t’i ndalin ata që pengesën e kanë motivin e vetëm të veprimit.

Nuk është problemi tek flamuri, por tek tentimi për të imponuar një flamur tjetër.

Prandaj, padia edhe mund të ngritet, gjoba mbase edhe mund të shqiptohet, por, flamuri nuk do të ndryshojë.

 

TË NGJASHME

TIRANA U JEP 30 MIJË EURO SHQIPTARËVE NË LUGINË PËR TË BLERË ABETARET

PreshevaPRESS

SINANI: TAKIME VËLLAZËRORE ME MINISTRAT ZEMAJ DHE BAJRAMI

PreshevaPRESS

MINISTRI ZEMAJ PRITI NË TAKIM NJË PJESË TË DELEGACIONIT POLITIKË NGA LUGINA

PreshevaPRESS

PreshevaPRESS përdor cookies për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë