PreshevaPRESS

..und das Spiel endete…

Në këtë kohë pandemie, depresioni, lodhje e mërzie për lajme  mortore gjithandej rrjeteve sociale, s`fundi na u shtua edhe një lajmë, sa i dhimbshëm, aq shpresëdhënës, sa i hidhur aq i gëzuar, më në fund një paralajmërim se loja mbrapsht e nisur si duket po përfundon…

Nga Dr Scc. Baki Rexhepi

Dorëheqja e të parit të organit legjislativ në Preshevë, kryetarit të Kuvendit Komunal z. Sami Salihut, erdhi pak ditë para se të skadonte afati tre mujorë i mbajtjes së seancës së radhës e për të cilën mungonte siguria se do të mbahej…Kjo ndoshta bazohet në ngutin e zëvendëskryetarit të Komunës z. Armend Aliut, që të jap dorëheqjen  dhe paralajmërimin e tij për vazhdimin e garës politike me formacion të ri…sidoqoftë si dorëheqja e parë ashtu edhe e dyta nuk ishin që s`priteshin nga opinioni publik, duke i ditë raportet mes “parisë” sonë komunale.

Por, si për çudi opozita, që si gjithherë kishte vullnet të zjarrtë për mposhtje të pushtetit aktual, disi u zu në befasi! E kapluar nga befasia dhe pa veprim drejt gjetjes së një zgjidhje të kësaj shanse që nuk i kontribuuan të vinte, të lenë përshtypjen se janë pre e qetësisë hipnotizuese…

Ndërsa po afron njëzetë e shtatë gushti, kur edhe skadon afati tremujorë i mbajtjes së seancës së rregullt, emërues i përbashkët i opinioneve është se nuk duhet lejuar që pas shpërndarjes së Kuvendit Komunal dhe rënies formale të pushtetit lokal, vendi të menaxhohet nga organi i përkohshëm. Kjo mbase ka një mbështetje nga përvoja e hidhur e organit të fundit të përkohshëm, kur u keqpërdorën miliona dinarë  e si rezultat prodhoi depresionin tre vjeçar  që po vazhdon të thellohet çdo ditë  e më shumë në të gjitha sferat e jetës…

E për t`i dhënë fund kësaj të keçe, që besoj secili nga ne që nuk ishim me pushtetarët aktual për ditë e dëshiron e aq më shumë opozita që reagonte në vazhdimësi, duhet tani të mendoj se si të veproj. Të përfundoj këtë lojë, apo të jep rast që me gabimet e saja të përjetoj edhe një herë këët lojë të shëmtuar…

Jo për të shpërblyer atë që kontribuoi në këtë situatë, por për të përjashtuar nga skena politike ata që u imponuan dhunshëm në skenën politike, duke shfrytëzuar e keqpërdorë bamirësinë e fenë, duke bashkëpunuar me dreqin të birin, duke keqpërdorë çdo gjë të gjallë, madje më e dhimbshmja duke përdhosur Flamurin, Kombin  e Atdheun, është koha që opozita të vendos. Është në dorë të saj, që në këtë periudhë  transitore deri në fund të këtij mandati të mos josh ambiciet e të qenit i pari. Por, përmes hises jo të pakët të pushtetit në një konfigurim të ri të arrij përgatitjet për garën e re politike.

Në këtë situatë fitorja e të gjithë qytetarëve të Preshevës, do të ishte përfundimi i katrahurës pesë vjeçare. Fitore e qytetarëve shqiptarë, stopimi i dukurive përçarëse, fyese dhe denigruese, hapja rrugë unitetit dhe veprimeve konkrete,  para ngjarjeve të mëdha që sigurisht pritet të ndodhin, në të mirë tonë e ku ne do të duhej të bartim  përgjegjësinë historike.

Në luftë me të  keçen, duhet sfiduar! Liria i ka rrënjët tek sfida…opozita duhet ta vërtetoj zotimin e saj, nëse vërtet është kundër  të keçes .. um dieses Spiel zu beenden!

(Opinioni pasqyron vetëm bindjet e autorit!)

PreshevaPRESS përdor shtojca për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë