PreshevaPRESS

ÇËSHTJA E TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE TË LUGINËS TË NGRIHET NË UASHINGTON

Tri ditë para takimit në Uashington me palën serbe, delegacionit kosovar po i kërkohet që aty të ngritët çështja e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.


Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të diskriminuar nga shteti serb.

Ai thotë se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhet ta shtrojnë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Madje, këtë e sheh si mundësi të vetme të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në shtetin serb.

“Kanë kërkuar që presidenca, Kuvendi dhe qeveria e Republikës së Kosovës të marrë parasysh kërkesat e Luginës së Preshevës dhe ta shtrojë si çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi sepse duke e trajtuar Luginën e Preshevës në këtë format do të mund të arrihej një standard. Sepse në Ballkan duke pasur standarde të dyshta të trajtimit të pakicave nuk do të ketë paqe, përderisa Serbia në Kosovë kërkon të drejta edhe të mëtejme për komunitetin serb, e që janë mbi standardet evropiane.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në vazhdimësi u mohohen edhe ato që janë edhe më themelore. Pasur parasysh tekstet mësimore, përdorimin e gjuhës, përfaqësimin dhe zhvillimin ekonomik”, thotë ai.

Se çështja e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të jetë temë e diskutimit në dialogun Kosovë-Serbi, e thotë edhe kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik, Shaip Kamberi. Kamberi që do të jetë edhe deputet në Kuvendin e Serbisë, thotë për KosovaPress se mundësia e fundit për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të Luginës është nëpërmjet dialogut mes dy shteteve.

“Ne kërkojmë që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithë ky participim i ynë në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale, formimi i Këshillit Nacional nuk kanë dhënë rezultate për pritjet që i kemi pasur në një proces bisedimesh me Beogradin që e kemi nisur qysh në vitin 2001, prej përfundimit të luftës së armatosur. Tash mendojmë që mundësia e fundit për një përmirësim radikal kualitativ të
gjendjes së shqiptarëve janë bisedimet që do të zhvillohen me Serbinë”, thotë Kamberi.

Sa i përket përfshirjes në delegacionin e Kosovës të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa e sheh si të domosdoshme.

“Unë nuk besoj që do të duhej të jenë partitë politike, por do të duhej të jenë përfaqësuesit institucionalë e politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë. Krahas kësaj duke kërkuar një zgjidhje edhe për çështjen e Luginës së Preshevës konform dokumenteve që i kanë nxjerrë përfaqësuesit politikë e institucionalë të Luginës së Preshevës nga referendumi i 92, tek lufta e UÇPMB-së, marrëveshja e Konçulit, e deri tek ky plani 7 pikësh i cili është prezantuar. Unë besoj dhe jam i bindur se çështja nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa u trajtuar edhe çështja e Luginës së Preshevës, e aq më tepër që nuk duhet të jetë vetëm subjekt, po duhet të jetë edhe pjesëmarrës në kuadër të këtij procesi”, thotë Mustafa.

Por, ndryshe mendon kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik, Shaip Kamberi, i cili deklaron se për ta është e mjaftueshme që çështja e tyre të shtrohet në tryezë të bisedimeve.

“Nuk e di sa është e realshme kjo çështje sepse më pas implikon edhe gjëra krejtësisht të tjera që do të kërkojnë serbët e Kosovës të jenë pjesë e një delegacioni të Serbisë. Pra, nuk mund të pritet që diçka e ngjashme të jetë e realshme. Prandaj kërkesa jonë orientohet në atë që të jetë tema e Luginës së Preshevës si teme e bisedave në agjendën e bisedave në Uashington dhe në Samitin e Parisit. Për ne është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës ta shtrojnë këtë temë, ta mbrojnë dhe në një formë të ndërtimit të parimeve të barabarësisë së respektimit të të drejtave të pakicave në këtë pjesë të Ballkanit. Kosova është shembull i respektimit dhe garantimit edhe me kushtetutë të të drejtave të pakicave, në anën e kundërt Serbia është një shembull krejtësisht i kundërt i cili nuk respekton edhe ato pak të drejta që janë nën standardet e BEsë që garantohen për pakicat”, thotë Kamberi.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, me 25 qershor do të vizitojë Brukselin, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të institucioneve evropiane. Ndërsa, Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë bisedimet me 27 qershor në Uashington.

TË NGJASHME

PVD DHE LPD PRO KOALICIONIT SHQIPTAR NË BUJANOC

PreshevaPRESS

CAKAJ FTON SHQIPTARËT E BUJANOCIT TË DALIN NË VOTIME MË 1 KORRIK

PreshevaPRESS

MË 1 KORRIK KONFIRMOHEN VOTAT PËR 3 DEPUTETËT SHQIPTAR NË PARLAMENTIN E SERBISË

PreshevaPRESS

PreshevaPRESS përdor cookies për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë