PreshevaPRESS

SHQIPRIM ARIFI HAP SEZONIN E RI TË PREMTIMEVE, PREMTIMET E VJETRA MBETEN PA REALIZUAR

Është krijuar një bindje që Shqiprim Arifi gjithmonë kur nuk ka stabilitet në koalicionin me të cilin ai udhëheqë, ose paraqiten pakënaqësi brenda partisë së tij, fillon e premton projekte palidhje vetëm për të përgatitur paraprakisht retorikën që do ta shfrytëzojë nëse ai rrëzohet nga pozita.


Alternativa për Ndryshim erdhi në pushtet në maj të vitit 2016, përmes ndihmës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, me ç`rast pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës PVD – APN, Shqiprim Arifi u zgjodh kryetar komune, derisa Ardita Sinani mori udhëheqjen e Kuvendit.

Zhvillimi i hovshëm ekonomik i Preshevës përmes sjelljes së më shumë se 10 investitorëve dhe hapjes së ë shumë se 10 fabrikave, depolitizomi dhe profesionalizimi i institucioneve, ç`rrënjosja e nepotizmit, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, ishin disa nga premtimet e Shqiprim Arifit që me ardhjen e tij në krye të Preshevës, votuesit e Preshevës të të gjitha partive politike shihnin me shpresë kah Arifi. Për fat të keq kjo nuk zgjati shumë pasi që, me të ardhur në pushtet Arifi mbushi komunën me njerëz pa fakultete dhe pa kualifikim adekuat, punësoi familjarët e njerëzve kyç të kryesisë së APN-së dhe këshilltarëve të tij, provoi të politizoj institucionet dhe prishi marrëdhëniet kolektive si dhe krijoi monopol për dy a tri biznese që sponsorizonin fushatat dhe aktivitetet e APN-së. Përveç fabrikave, investimeve, transparencës e retorikës për mentalitet të ri qeverisës si projekte konkrete, Shqiprim Arifi pati premtuar:

  • parkun rekreativ në rrugën e Gjilanit (përskaj lumit)
  • qendër arsimore në hapsirën mes shkollave dhe stadiumit të qytetit

Dëshpërimi i madh që erdhi nga mosrealizimi i asnjë premtimi të dhënë në fushatën e vitit 2016-të, i akumuluar për një vit qeverisje, bëri që partneri i Arifit në qeverisje të Preshevës i udhëhequr nga Ardita Sinani të krijojnë një shumicë të re në Kuvendin Komunal duke e dërguar APN-në dhe Shqiprim Arifin në opozitë në mars të vitit 2018. Aso kohe, Shqiprim Arifi me të kuptuar mospajtimet dhe mundësinë e shkuarjes në opozitë filloi sezonin e dytë të premtimeve me ç’rast u premtuan:

  • hapja e vendkalimit kufitar Miratoc – Llojan
  • kthimi i gjykatës dhe prokurorisë themelore në Preshevë,
  • sjellja e investitorëve të promovuar deri më tani,
  • përfundimi i zonës industriale në Preshevë,
  • sigurimi i teksteve mësimore për shkollat në gjuhën shqipe etj.

Premtime që u përsëritën gjatë gjashtë muajve të Shqiprim Arifit në opozitë (mars – shtatorë 2017), dhe me të ardhur në krye të organit të përkohshëm për udhëheqje të Preshevës përmes vendimit të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, u harruan dhe nuk përsëriteshin më, deri në përfundim të mandatit të organit të përkohshëm dhe fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të dhjetorit të vitit 2017-të. Gjatë periudhës shtatorë 2017 – dhjetor 2017, Shqiprim Arifi shpërndante kubëza betoni, shtylla elektrike, rehatonte nëpër pozita udhëheqëse familjarët e tij dhe të njerëzve kryesor të APN-së, emëronte drejtorë të institucioneve njerëz të pakualifikuar dhe realizonte tenderët përmes të cilëve do të sponsorizohej fushata parazgjedhore. Me të filluar fushata parazgjedhore, Shqiprim Arifi filloi sezonin e tretë të premtimeve dhe premtoi:

  • premtimin për qendrën arsimore  u riprojektua në park qëndror  (mes shkollave dhe stadiumit)
  • parku rekreativ përskaj lumit të Preshevës në rrugën e Gjilanit
  • parku i paqes përskaj rrugës 15 Nëntori (te qeshma e Limon agës)
  • përfundimin e zonës industriale në Preshevë,
  • hapja e vendkalimit kufitar Miratoc – Llojan më 01 korrik 2019
  • kthimi i gjykatës dhe prokurorisë themelore në Preshevë në fillim të vitit 2019 etj.

Shqiprim Arifi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2018 arriti që të krijoj shumicë qeverisëse përmes koalicionit APN – LRPDH – SNS (Aleksandër Vuçiq) me ç’rast me 20 vota u emërua përsëri si kryetar i Preshevës. Nga data 19 shkurt 2019, dita e emërimit të Shqiprim Arifit e deri më sot, nuk është realizuar asnjë premtim i dhënë në fushatën parazgjedhore të vitit 2018-të.

Javët e fundit të gushtit 2019 Shqiprim Arifi ka hapur edhe një sezon të re të premtimeve duke përmendur rregullimin e stadiumit të qytetit të Preshevës dhe disa të tjerë. A po mundohet Shqiprim Arifi që përmes sezonit të ri të premtimeve të kamuflojë dhe tejkalojë edhe një krize të re në mes të partive në koalicionin qeverisës ose një krize edhe më të thellë të partisë së Shqiprim Arifit mbetet të shihet në ditëve në vazhdim.

TË NGJASHME

PRESHEVA, DORËHEQJET DHE ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

PreshevaPRESS

PreshevaPRESS përdor shtojca për të ofruar shërbim më të mirë. OK Lexo më shumë